AktualitetEkonomiTë fundit

Shqipëria si “ishull” në kohë interesash të larta, yield-et e bonove 12-mujore pësojnë sërish rënie të lehtë

Yield-et e bonove 12-mujore pësuan një tjetër rënie të lehtë në ankandin e kësaj jave. Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, yield-i mesatar i ponderuar zbriti në 3.11%, nga 3.15% që kishte qenë në ankandin e mëparshëm, që ishte zhvilluar në javën e fundit të muajit shtator. Tregu shfaqi sërish një bollëk të madh likuiditeti dhe kërkese për instrumentet e borxhit të qeverisë shqiptare.

Nga 10 miliardë lekë që kishte qenë shuma e shpallur për financim nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë, kërkesat totale në ankand arritën vlerën e 13.4 miliardë lekëve. Pro rata ose pjesa e pranuar e kërkesave konkurruese rezultoi edhe njëherë mjaft e ulët, në nivelin 15.53%.

Tregu i bonove të thesarit po vazhdon të shfaqë nivele shumë të ulëta të yield-eve. Aktualisht, yield-i i bonove 12-mujore ndodhet vetëm 0.11 pikë sipër normës bazë të interesit dhe 1.63 pikë përqindje poshtë niveleve të shënuara në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Ndërkohë, javën e kaluar yield-et e bonove 6-mujore pësuan një rënie të paprecedentë në 1.5%, sa gjysma e normës bazë të interesit, megjithëse Banka e Shqipërisë e konsideroi këtë rezultat një lloj anomalie, që i detyrohej një oferte të vetme fituese në ankand.

Ekspertët parashikon që në tremujorin e fundit të vitit yield-et të shënonin një korrektim në rritje, pas rënies së gjysmës së parë të vitit dhe një niveli përgjithësisht të qëndrueshëm gjatë tremujorit të tretë. Por, një tendencë e tillë po vërehet vetëm te obligacionet, ndërkohë që yield-et e bonove ngelen në nivele mjaft të ulëta. Kjo mund të shpjegohet me likuiditetin e bollshëm në treg dhe me interesin e lartë të investitorëve për të investuar në këto instrumente.

Pritej që bankat në tremujorin e fundit të vitit të kenë një pjesëmarrje disi më të ulët në ankandet e titujve të qeverisë, por deri tani një tendencë e tillë është kufizuar kryesisht te titujt afatgjatë. Tregu primar i bonove vazhdon të ketë pjesëmarrje të lartë dhe yield-e mjaft të ulëta. Marzhi midis normës bazë dhe yield-it të bonove 12-mujore është në nivelet më të ulëta historike.

Nga ana tjetër, edhe kërkesa e qeverisë për financim në tremujorin e fundit të vitit pritet të jetë më e ulët krahasuar me tremujorët e mëparshëm. Veçanërsisht në gjysmën e parë të vitit Ministria e Financave realizoi huamarrje më të larta se parashikimet, për të shfrytëzuar kushtet e favorshme të tregut.

Një pjesë e deficitit të programuar u sigurua nëpërmjet emetimit të Eurobondit të radhës në muajin qershor. Ndërkohë, balanca buxhetore deri në fudn të 9-mujorit shënonte një suficit në nivelet më të larta historike.

Yield-et e ulëta i detyrohen edhe politikës monetare të ndjekur nga Banka e Shqipërisë këtë vit. Norma bazë e interesit ndodhet në nivelin 3%, ndër më të ulëtit në Europë dhe këtë vit është rritur vetëm një herë, në muajin mars.

Banka e Shqipërisë e ka argumentuar tërheqjen e përkohshme nga normalizimi monetar me efektin anti-inflacionist që kanë dhënë forcimi i lekut në kursin e këmbimit dhe politika fiskale e shtrënguar që ka ndjekur qeveria shqiptare./Monitor

 

Fraksion.com