Publikon pamje nga takimi me presidentin francez Macron, Kryeministri: Historike
Për herë të parë një president francez vizitoi Shqipërinë, që prej 101 viteve marrëdhënieve diplomatike mes dy vendeve. Vizita e Emmanuel Macron zgjati dy ditë, 16 dhe 17 tetor, ndërsa kryeministri Edi Rama e cilëson historike ardhjen e tij në Tiranë. Ai ka ndarë një video përmbledhëse nga vizita e Macron, që nga mbrëmja në Pallatin e Brigadave ku u nderua shkrimtari Isamil Kadare, tek vizita brenda kryeministrisë dhe zyrës së Ramës, tek turi në Piramidën e Tiranës dhe vilën e Enver Hoxhës që do të shndërrohet në rezidencë artistësh.
“MIRËMËNGJESI dhe me këtë kronikë të vizitës historike të Presidentit të Francës në Shqipëri, e para në 101 vjet marrëdhënie diplomatike mes të dy vendeve, e cila i hapi rrugën një sërë projektesh të reja me rëndësi për zhvillimin ekonomik, arsimor e kulturor për Shqipërinë, si edhe një bashkëpunimi të afërt politik, për afrimin e Ballkanit Perëndimor me Bashkimin Europian, ju uroj një ditë të mbarë”, shkruan Rama.
Në video duken edhe momente të veçanta të cilat i kanë shpëtuar ‘syrit të medias’. E tillë është vizita brenda në zyrën e Ramës, ku kryeministri i tregon Macron tavolinën e mbushur me lapustila e penela me të cilat pikturon gjatë takimeve. Më tej, ai i shpjegon se muri i zyrës është i veshur me letër murale në të cilën janë vendosur pikturat e realizuara nga vetë Rama.
Macron mori edhe një dhuratë të veçantë, një pikturë me gurë të realizuar nga Rama.
Rama: Kam diçka për ty në Pietra Dura. Është një teknikë e vjetër e mesjetës italiane për piktura me gurë.
Macron: Nuk qenka aspak e ashpër, është e integruar?
Rama: Po punohet pjesëz pas pjese.
Macron: E ke bërë ti?
Rama: Bashkë me miq artizanë. E kishim në koleksionin e familjes po menduam ta keni ju.
Macron bëri edhe një tur tek ‘Piramida’ ndonëse koha nuk ishte e mirë dhe binte shi. Por, Rama është treguar gentil duke i mbajtur çadrën presidentit francez, ndërsa nuk munguan as batutat.
Rama: Kubi blu atje lart është për Francën. Do të vendosim flamurin francez atje dhe do të sundojë piramidën.
Macron: Ah, maja e përgjegjësisë atëherë.
Kreu i qeverisë Rama e përcolli Macronin deri në aeroport, ku dy liderët u ndanë me një përqafim të ngrohtë mes tyre, me këtë vizitë historike që do forcojë më tej marrëdhëniet franko-shqiptare.
Fraksion.com