AktualitetPolitikëTë fundit

Shqipëri-Francë, nënshkruhen 4 marrëveshje bashkëpunimi

Shqipëria dhe Franca nënshkruan sot 4 marrëveshje bashkëpunimi në fusha të ndryshme në kuadër të vizitës zyrtare të presidentit Emmanuel Macron në Tiranë. Marrëveshjet u nënshkruan në praninë e Presidentit Macron dhe Kryeministrit Edi Rama dhe shkojnë në drejtim të forcimit të marrëdhënieve, pesë vjet pas nënshkrimit të Deklaratës së Partneritetit Strategjik midis dy vendeve.

Marrëveshja e parë është udhërrëfyes për bashkëpunimin ekonomik midis Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Francës, – nënshkruar nga zv.kryeministrja dhe ministrja e Infrastrukturës së Republikës së Shqipërisë, Belinda Balluku dhe ministri i Deleguar i Tregtisë së Jashtme, Atraksionit dhe Diasporës së Republikës Franceze z. Olivier Becht.

Marrëveshja e dytë është memorandum i mirëkuptimit për bashkëpunimin e ndërsjellë midis Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë, të përfaqësuar nga Agjencia Shtetërore e Programimit Strategjik dhe Koordinimit të Ndihmës dhe Agjencisë Franceze të Zhvillimit (AFD) – nënshkruar nga drejtori i Agjencisë Shtetërore të Programimit Strategjik dhe Koordinimit të Ndihmës Ilir Beqaj dhe drejtor për Ballkanin, Lindjen e Mesme dhe Azinë Cyrille Bellier.

Marrëveshja e tretë është ajo e bashkëpunimit ndërmjet Ministrisë së Kulturës së Republikës së Shqipërisë dhe Qendrës Kombëtare për Kinemanë dhe Imazhet e Animuara të Republikës Franceze, – nënshkruar nga ministrja e Kulturës Elva Margariti dhe Presidenti për Qendrën Kombëtare për Kinemanë dhe Imazhet e Animuara Dominique Boutonnat.

Marrëveshja e katërt është deklarata e qëllimit ndërmjet Ministrisë së Brendshme të Republikës së Shqipërisë dhe të Ministrisë së Brendshme dhe të përtej Detit të Republikës Franceze, në lidhje me forcimin e bashkëpunimit policor në fushën balistike – nënshkruar nga ministri i Brendshem i Republikës së Shqipërisë Taulant Balla dhe ambasadorja e Republikës Franceze në Shqipëri Catherine Suard.

 

Fraksion.com