Rama: Shpresëplotë që Macron do udhëheqë riangazhimin e BE-së për ribashkimin e Europës
Kryeministri Edi Rama shprehu sot besimin se Presidenti i Francës Emmanuel Macron do të udhëheqë një proces riangazhimi të Bashkimit Europian në funksion të ribashkimit të Europës, për të ndërtuar dy binarë të një treni ku nga njëra anë çdo vend do të bëjë detyrat e shtëpisë, ndërkohë që BE do të vazhdojë përpjekjet për t’u reformuar së brendshmi.
Në konferencën e përbashkët për shtyp me Presidentin e Francës, Emmanuel Macron, i cili po zhvillon vizitën e parë në vendin tonë, Rama tha se pas një pritjeje të paktën shekullore në Shqipëri vjen për një vizitë bilaterale shefi i shtetit francez.
“Në protokollin diplomatik fjala ‘i lumtur’ përdoret shpesh. E vërteta është që sa herë unë gjendem në një situatë si kjo, kur duhet shprehur kënaqësia për praninë e një miku të çmuar e evitoj fjalën i lumtur që sugjeron Ministria e Jashtme në fjalimet e mia dhe them ‘i kënaqur’. Ndërkohë që sot dëshiroj ta them me plot gojën që jam shumë i lumtur që jam në krah të Presidentit të Republikës së Francës jo në Paris, jo në Bruksel, jo në një tjetër kryeqytet të Europës, por në Tiranë”, tha Rama.
Rama tha se kjo vizitë është shumë më tepër se sa një vizitë formale.
“Është një vizitë miqësore dhe është një vizitë angazhimi për ta thelluar më tej një marrëdhënie mes Francës dhe Shqipërisë që po të shikojmë të gjitha të dhënat konkrete ka njohur një zhvillim të papritur por edhe të shumëpritur vitet e fundit si rezultat i një riangazhimi të Francës në rajon dhe përmes angazhimit të drejtpërdrejt të Presidentit Macron në kërkim të një marrëdhënieje shumë konkrete dhe shumë më produktive për BE-në dhe për Ballkanin Perëndimor”, tha Rama.
Kjo marrëdhënie, sipas tij, duhet të tejkalojë procesin tradicional të integrimit europian dhe të jetë në gjendje që në çdo hap t’u japë vendeve të Ballkanit Perëndimor mundësinë e bashkimit me Europën pa rënë në kurthin e traditës së procesit të integrimit.
“Në këndvështrimin tim dhe fatmirësisht të Presidentit Macron kjo duhet të vazhdojë bazuar në meritën e çdo vendi, por nuk duhet lënë të bëhet arsye për ankth dhe pasiguri në raport me të ardhmen europiane të vendeve tona. Ankthi dhe pasiguria vijnë si rezultat i nevojës së BE-së për t’u zgjeruar në rrugën tradicionale në kushtet kur autokracitë po marrin avantazh në raport me demokracitë si rezultat i mundësisë për të marrë vendimmarrje strategjike dhe për t’i marrë ato shpejt”, tha Rama.
Kryeministri vlerësoi faktin se Presidenti Macron edhe në fjalën e mbajtur mbrëmë në Tiranë e tha shumë qartë se zgjerimi i BE-së nuk duhet të pengojë ribashkimin e Europës.
“Për këtë unë jam shumë shpresëplotë që Presidenti do të udhëheqë një proces riangazhimi të BE-së në funksion të ribashkimit të Europës për të ndërtuar dy binarë të një treni ku nga njëra anë çdo vend do të bëjë detyrat e shtëpisë, ndërkohë që BE do të vazhdojë përpjekjet për t’u reformuar së brendshmi. Marrëdhëniet e BE-së me çdo vend do të jenë shumë të thella, me impakt në jetën tonë ekonomike e shoqërore”, tha Rama.
Fraksion.com