AktualitetBota+Op-EdTë fundit

Si mund të duket një ofensivë tokësore e Izraelit në Rripin e Gazës?

Nga Mimoza Sadiku

 

Një betejë që vrau dhjetëra civilë dhe dhjetëra ushtarë izraelitë pothuajse një dekadë më parë, ofron një ide se çfarë lloj luftimesh mund të ndodhin nëse forcat izraelite hyjnë në Gazë, ashtu siç pritet, për të ndëshkuar Hamasin për shkak të sulmeve të tij në jug të Izraelit javën e kaluar.

Ishte 19 korriku i vitit 2014 gjatë luftës së tretë kundër Hamasit. Shënjestra ishte Shijaijah, një lagje me numër të madh banorësh në Qytetin e Gazës, të cilën ushtria tha se Hamasi e kishte shndërruar në një “bastion terrorist” të mbushur me tunele, raketahedhës dhe kurthe.

Beteja erdhi në ditën e tretë të ofensivës tokësore, që i parapriu një fushatë ajrore 10-ditore. Më pas, sikurse tani, civilëve palestinezë iu kërkua që të largohen nga lagjja. Atëherë, sikurse tani, shumica qëndruan në shtëpitë e tyre sepse ose Hamasi iu tha të qëndronin ose nuk kishin se ku të shkonin.

Përderisa forcat izraelite hynë në Shijaijah, ku gjenden një numër i madh ndërtesash dhe rrugicash të ngushta, militantët kryen breshëri sulmesh me armë automatike, raketa kundërtanke dhe me granatahedhës, tha atëbotë ushtria.

Një autoblindë me ushtarë u prish. Kur dy ushtarë dolën që ta rregullonin, një militant sulmoi autoblindën me një raketë kundërtanke, duke vrarë të shatë ushtarët që gjendeshin brenda makinës. Në mes të kaosit, luftëtarët e Hamasit arritën të marrin trupin e një ushtari të vrarë dhe mbetjet mortore të tij ende nuk janë kthyer në Izrael.

Pas panikut, ushtarët e urdhëruan që të futeshin në autoblindat e tyre përderisa batalionet e artilerisë gjuajtën 600 predha dhe avionët luftarakë kryen sulme nga ajri. Ditën tjetër, avionët luftarakë izraelitë lëshuan 100 bomba njëtonëshe në zonë, raportuan më vonë mediat izraelite.

“Porta e ferrit është hapur dhe copëzat e granatave po hyjnë nga dritaret”, tha atëbotë për AP-në një banor palestinez.

Më 2014, “ishte një çmenduri se sa shumë armë zjarri u përdorën”, tha një ushtar izraelit për “Thyeje Heshtjen”, një grup veteranësh të cilët janë kritikë për politikat në Izrael dhe që mbledhin dëshmi nga ushtarët, të cilët flasin në kushte anonimiteti.

Pesëdhjetepesë civilë u vranë gjatë betejës dyditore, përfshirë 19 fëmijë dhe 14 gra, gjeti një raport i Kombeve të Bashkuara dhe u vranë një numër i panjohur i militantëve. Po ashtu, atëbotë u vranë edhe 13 ushtarë izraelitë.

Amir Avivi, gjeneral izraelit në pension, që kishte shërbyer së bashku me komandantët kyçë në betejën e vitit 2014, tha se tani një sulm tokësor “do të ishte krejtësisht i ndryshëm” sepse sulmet ajrore dhe me artileri do të ndodhnin të parat.

“Do të ishte një manovrim masiv me shumë sulme ajrore dhe artileri – një hyrje shumë, shumë e fuqishme. Ne do të përpiqemi të minimizojmë sa më shumë viktima në mesin e ushtarëve tanë dhe për këtë, ne na duhet shumë mbrojtje”.

Ai tha se më pak fuqi e zjarrit do të duhej nëse në fillim kryen sulme ajrore dhe artileri.

Fuqia e jashtëzakonshme e zjarrit mund të ketë parandaluar numrin e madh të viktimave në mesin e ushtarëve, por shkaktoi numër të madh të vdekjeve në mesin e civilëve dhe ka rrafshuar shumicën e lagjeve. Rreth 670 u shkatërruan dhe pothuajse 1.200 të tjera u dëmtuan rëndë, sipas raportit të OKB-së.

“Ishte një operacion shumë preciz”, deklaroi në mënyrë sarkastike sekretari i atëhershëm i Shtetit, John Kerry.

Izraeli ka urdhëruar një evakuim të paprecedent të pothuajse gjysmës së popullsisë së Gazës prej 2.3 milionë palestinezësh, duke i urdhëruar ata që të largohen nga pjesa veriore e territorit të rrethuar për në jug. Avivi, gjenerali në pension, tha se qëllimi i evakuimit është që të shpëtohen civilët. Por, jo të gjithë mund dhe duan të largohen.

“Kur të nisë artileria, ata që nuk janë evakuuar ende do të evakuohen”, tha ai.

Raporti i OKB-së gjeti “indikacione të forta” se operacioni Shijaijah sulme pa dallim “që mund të përbëjnë krime lufte”. Gjykata Ndërkombëtare Penale ka hetuar për krimet e mundshme të luftës të kryera nga të dyja palët gjatë luftës së vitit 2014.

Izraeli, që për një kohë të gjatë ka akuzuar trupat e OKB-së se janë kundër tij, ka refuzuar që të bashkëpunojë në çdo hetim.

Lufta vazhdoi edhe për një muaj pas operacionit në Shijaijah, me beteja të ngjashme shkatërruese. Lufta përfundojë përmes një armëpushimi të brishtë dhe Hamasi vazhdoi të kontrollonte Gazën pavarësisht vdekjes së 2.251 palestinezëve – shumica civilë – dhe shkatërrimit të madh. Në palën izraelite, 74 persona u vranë, përfshirë gjashtë civilë.

Në vitin 2021, të dyja palët zhvilluan një luftë tjetër shkatërruese, edhe pse atëbotë nuk kishte pushtim tokësor.

Por, të shtunën e 7 tetorit, Hamasi nisi sulme në jug të Izraelit, duke vrarë mijëra dhe duke marrë afër 200 pengje në territorin e ngushtë dhe bregdetar të Gazës.

Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, që ishte në pushtet edhe më 2014, është zotuar se do ta shkatërrojë Hamasin. Lideri i grupit militant ka thënë se Hamasi është i përgatitur për të gjitha skenarët.

Izraeli ka premtuar se në një të ardhme të afërt do të kryejë një ofensivë “shumë të gjerë” ajrore, tokësore dhe detare. Ky shtet ka grumbulluar tanke dhe mijëra trupa përgjatë kufirit me Gazën.

Nëse ata hyjnë në Gazë, Shijaijah do të jetë një prej caqeve të tyre të para./REL

 

Fraksion.com