Samiti i Berlinit në Tiranë, Berisha: Këta burra të shquar të BE varrosin sot projektin e Ballkanit të Hapur në ndërtesën mauzole të diktatorit
Kryetari i grupit të “Rithemelimit” në Partinë Demokratike, Sali Berisha, përmes një deklarate për mediet përshëndeti zhvillimin e samitit të liderëve të vendeve anëtare të Bashkimit Evropian dhe Ballkanit Perëndimor në Tiranë.
Berisha theksoi se Partia Demokratike mbetet e vendosur, e përkushtuar me programin e saj, të bëjë gjithçka për të avancuar procesin e integrimit në BE, ndërsa shtoi se zhvillimi i këtij samiti te Piramida, “varros” projektin e Ballkanit të Hapur.
“PD, si lokomotivë e proceseve integruese euroatlantike, garanton pjesëmarrësit e këtij samiti se ajo mbetet e vendosur, e përkushtuar me programin e saj, të bëjë gjithçka për të avancuar procesin e rëndësishëm të integrimit në BE si e ardhmja më e mirë e shqiptarëve, por edhe popujve të tjerë, në paqe, begati dhe zhvillim”, vijoi Berisha.
Sipas tij, vonesat në rrugën e integrimit drejt BE janë për faj të regjimeve autokratike në rajon.
“Nga samiti i Selanikut gjer sot, kanë kaluar 20 vite, por mjerisht vetëm një vend i rajonit nga ajo kohë, është sot anëtar i plotë i Bashkimit Evropian, Kroacia. Dhe kjo, absolutisht jo se ka munguar predispozita apo dëshira e BE për integrimin e këtyre vendeve, por sepse 10 vitet e fundit, procesi i integrimit për shkak të regjimeve autokratike të instaluara në disa vende të këtij rajoni, u shndërrua në një horizont që largohej gjithnjë e më shumë”, tha ai.
“Por, PD shpreh gjithashtu vlerësimin më të madh për samitin e sotëm sepse sot, këta burra të shquar të BE, varrosin pikërisht në ndërtesën mauzole të diktatorit, projektin e Ballkanit të Hapur, të Edi Ramës. Projekt ky, de facto ruso-serb, i cili synonte në një mënyrë apo në një tjetër, rikthimin e Serbisë së Madhe dhe rikthimin e rajonit në zonë influence të Rusisë”, vijoi Berisha.
“Ky projekt, në të cilin Edi Rama u bë promotor kryesor dhe tundte flamurin e tij, që mbështetej fuqishëm nga Sergi Lavrov, por në fakt edhe nga Aleksandër Soros, sot, thashë dhe njëherë, varroset në këtë samit dhe kjo është një arritje e madhe për shqiptarët, një arritje e madhe për të gjitha kombet e rajonit, që shohin të ardhmen e tyre më të mirë në BE. Kjo është një goditje e të gjitha aspiratave të hegjemonizmit serb dhe influencës ruse në rajon. Ndaj dhe njëherë, e mbyll këtë deklaratë duke iu uruar sukses të plotë punimeve të këtij samiti historik për rajonin dhe Europën në Tiranë”, tha Berisha.
Farksion.com