Rusia takime me udhëheqësit arabë ndërsa kriza Izrael-Hamas thellohet
Rusia ka qëndruar kryesisht e heshtur përballë shpërthimit të konfliktit mes forcave izraelite dhe Hamasit, por këtë javë Kremlini dha shenja se po peshon rolin e tij dhe marrëdhëniet e veta me Izraelin, Hamasin dhe Iranin. Zyrtarët rusë njoftuan për një vizitë të Presidentit palestinez Mahmoud Abbas së shpejti por nuk kanë thënë se kur.
Vetëm dy ditë pas sulmit të militantëve të Hamasit ndaj Izraelit, Sekretari i Përgjithshëm i Ligës Arabe u prit në Moskë nga Ministri i Jashtëm rus Sergey Lavrov. Ky i fundit përsëriti thirrjen e Rusisë për paqe afatgjatë ndërmjet izraelitëve dhe palestinezëve.
“Ka vetëm një zgjidhje për problemin palestinez, të miratuar nga Kombet e Bashkuara. Dy shtete: Izraeli dhe Palestina”, tha ai.
Për një kohë të gjatë Rusia është munduar të baraspeshojë marrëdhënien e saj me Izraelin dhe udhëheqësit palestinez në Bregun Perëndimor dhe në Rripin e Gazës, përfshirë edhe udhëheqësit e Hamasit, që mbështeten nga Irani, të cilët ministri i jashtëm rus i priti për vizitë në Moskë në shtator të vitit 2022, i vetëdijshëm se një gjë e tillë do të acaronte marrëdhëniet me izraelitët.
Duke thyer heshtjen e Rusisë për shpërthimin më të fundit të konfliktit mes Izraelit dhe Hamasit, Presidenti Vladimir Putin e shfrytëzoi rastin të fajësojë Uashingtonin për gjakderdhjet.
“Ky është një shembull i qartë i dështimit të politikës së Shteteve të Bashkuara në Lindjen e Mesme, që ka provuar të monopolizojë zgjidhjen, por që fatkeqësisht, nuk ka qene e interesuar të gjejë një kompromis të pranueshëm për dyja palët”.
Zyrtarët amerikanë nuk kanë bërë komente rreth deklaratës së presidentit rus.
Përtej kritikave drejtuar Shteteve të Bashkuara, vëzhguesit thonë se Rusia po kërkon mundësi për të rritur ndikimin e saj në Lindjen e Mesme.
“Rusia ka marrëdhënie më solide me Izraelin. Të mos e harrojmë natyrën e qëndrimit të Izraelit ndaj luftës në Ukrainë, që është kritikuar mjaft në Perëndim. Në anën tjetër, Rusia ka gjithashtu qasje prej një kohe të gjatë dhe marrëdhënie me Hamasin, por mendoj se është më shumë një marrëdhënie interesi sesa përkushtim për partneritet”, thotë Galip Dalay, i institutit ‘Chatnam House’.
Por për Kremlinin faktori më problematik është Irani, një përkrahës i madh i Hamasit dhe Hezbollahut në Liban dhe njëri prej partnerëve kryesorë të Moskës.
“Përfshirja e Moskës aktualisht nënkupton që konflikti në Lindjen e Mesme kërcënon të përshkallëzohet në një Luftë të Tretë Botërore, me pasoja të mëdha. Në një situatë të tillë, Moska gjithsesi se nuk do ta ndërmerrte një rrezik të tillë ndërsa Irani ndërmerr rreziqe shumë të larta. Mendoj se ky është një prej skenarëve që duhet konsideruar në rastin e Hezbollahut, pra të një organizate ushtarake të lidhur me Iranin, përfshirja në një ofensivë në veri”, thotë analisti politik Arkady Dubnov.
Në një kohë kur Moska është e zhytur ne një përballje te vështire e plot pengesa ne Ukrainë, konflikti i ri në Lindjen e Mesme ngre pikëpyetje të reja jo vetëm ndaj Kremlinit, por edhe mbi te ardhmen e paqes globale./VOA
Fraksion.com