AktualitetPolitikëTë fundit

Përurohet Kolegji i Evropës në Tiranë, Mogherini: Studime si në të gjitha kolegjet

Rektorja e Kolegjit të Evropës, Federica Mogherini, tha sot në Tiranë se Kolegji i Evropës do të nisë aktivitetin vitin e ardhshëm.

Në ceremoninë e organizuar për përurimin e Kolegjit të Evropës, ku është i pranishëm Kryeministri Edi Rama, Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu si dhe liderë të tjerë pjesëmarrës në Samitin e Procesit të Berlinit, Mogherini tha se “po e përurojmë në kuadër të Samitit të Procesit të Berlinit këtu në Tiranën e bukur në këtë vendndodhje të mrekullueshme, zyrën e parë të Kolegjit të Evropës që do të udhëheqë rrugën për ngritjen së degës sonë, që do të nisë aktivitetin shtatorin e ardhshëm 2024-2025. Për mua është vërtet nder e kënaqësi, jam shumë krenare”.

“Do të doja të falënderoj ata që bënë të mundur një gjë të tillë, miqtë e partnerët tanë shqiptarë, Kryeministrin Edi Rama, qeverinë, kryetarin e bashkisë të gjithë miqtë që për pak muaj kanë bërë të mundur këtë gjë dhe ato çfarë do vijnë. Pas kësaj zyre do të kemi rezidencën për studentët, klasat dhe objektin për mësimdhënie”, tha Mogherini.

Më tek Mogherini falënderoi edhe Presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen dhe institucionet evropiane.

“E gjithë kjo nisi më pak se një vit më parë në samitin BE-Ballkani Perëndimor në Tiranë. Për mua është diçka që më bën krenare që institucionet bëhen bashkë për ta bërë një gjë të tillë realitet”, tha Mogherini.

Mogherini u shpreh se “falënderoj kryetarin e bashkisë së Tiranës që do të na mirëpresë ne, studentët e fakultetin tonë në vitet që do vijnë”.

“Do jetë një master artesh saktësisht, si në të gjitha degët e Kolegjit, me diplomë të akredituar nga autoritetet holandeze, siç është në Bryzh edhe në Natolin. Ky kolegj do të sjellë studentë nga i gjithë vendi, nga gjithë rajoni e Europa e më tej dhe do të studiojnë si në të gjitha kolegjet e tjera në vende të Evropës. Është një kënaqësi për mua, sepse do të më japë mundësinë të vizitoj rajonin dhe për të ndenjur në këtë vend shumë të bukur”, tha Mogherini.

Fraksion.com