AktualitetKosovaPolitikëTë fundit

Kurti takim me Roth: Serbia të zmbrapset nga refuzimi i pjesëve të Marrëveshjes Bazike

Në kuadër të Samitit të Procesit të Berlinit, i cili mbahet sot në Tiranë, Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, takoi paraprakisht Kryesuesin e Komisionit për Punë të Jashtme të Parlamentit gjerman, Michael Roth.

Gjatë takimit u diskutua rreth situatës aktuale në vend dhe procesin e dialogut.

Në lidhje me procesin e dialogut të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian, Kryeministri Kurti u shpreh se ai nuk mund të vazhdojë sikurse të mos ketë ndodhur asgjë. Kapitulli i ardhshëm i dialogut për normalizim duhet ta ketë parasysh veprimin agresor të Serbisë përmes sulmit terrorist të 24 shtatorit, për të cilin ka dëshmi e fakte të mjaftueshme për përfshirjen e Serbisë.

“Qasja në proces duhet të jetë e balancuar, të respektohet dhe zbatohet në plotni Marrëveshja Bazike dhe aneksi i saj. Serbia të zmbrapset nga refuzimi publik dhe faktik i pjesëve të Marrëveshjes Bazike të cilat kanë të bëjnë me njohjen de-facto të Kosovës dhe integritetin tonë territorial”, ka deklaruar Kurti.

Më tej, u bisedua edhe rreth rrugëtimit e anëtarësimit të Kosovës në organizata ndërkombëtare dhe për marrëdhëniet bilaterale ndërmjet Kosovës dhe Gjermanisë.

Kryeministri Kurti e falënderoi Roth për mbështetjen e vazhdueshme të Gjermanisë si dhe të tij ndaj Republikës së Kosovës.

Ky ishte takimi i dytë mes të dyve, pas atij të mbajtur në Prishtinë më 11 shtator, për çfarë Roth theksoi se janë kënaqësi takimet e bisedat me Kryeministrin Kurti.

 

Fraksion.com