Hapet Kolegji i Evropës, Von der Leyen: Do ta shoqërojë Shqipërinë drejt integrimit të plotë
Presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen, e pranishme në ceremoninë e zhvilluar të hënën për inaugurimin e Kolegjit Evropian të Tiranës, tek Piramida, u shpreh, se ky kolegj do t’i japë mundësi atyre që do të studiojnë aty të formësojnë të ardhmen e Bashkimin Evropian.
Në fjalën saj Von der Leyen, theksoi se çelja e një dege të Kolegjit Evropian të Bryzhit në Shqipëri ishte një ide e Kryeministrit Edi Rama. Sipas saj, ky kolegj do ta shoqërojë Shqipërinë drejt integrimit të plotë në BE.
“Në dhjetor të vitit të shkuar, Ju Edi, na sollët këtë ide. Dhe thatë ‘përse të mos ketë Kolegji i Evropës degën e tij në Tiranë?’. Që nga ai moment, thashë ‘çfarë ideje fantastike’. Na u deshën vetëm 9 muaj për t’ia arritur këtë, edhe për shkak të rektores Federicha Mogherini, pa të cilën do ishte e pamundur”, theksoi Von der Leyen.
Sipas zyrtares së lartë të BE, ky kolegj do të ndihmojë studentët të hedhin themelet e të ardhmes së Bashkimit Evropian.
“Ky është një moment i vërtetë shumë i veçantë. Për mua ky moment përfaqëson Evropën dhe momentet e saj më të mira. Në këtë kolegj të Evropës do të ketë studentë nga Shqipëria, Ballkani Perëndimor dhe gjetkë. Do të kemi të rinj që do të studiojnë këtu dhe do të flasim për shndërrimin që ka pësuar BE dhe do të hedhin dhe themelet për të qenë udhëheqës së të ardhmes, dhe ambasadorë të ardhshëm të idesë evropiane”, tha Von der Leyen.
Sipas saj, ky kolegj do ta shoqërojë vendin tonë drejt integrimit në BE.
“Ky kolegj është dega e tretë. Të parën e kemi hapur në Belgjikë, të dytën në Poloni dhe e treta këtu. Kampusi i dytë u hap në Poloni në mënyrë simbolike në vitin 1990, duke shoqëruar Poloninë drejt rrugës së integrimit në BE, për t’u anëtarësuar. Jam e bindur se e njëjta gjë do të ndodhë edhe me Shqipërinë”, nënvizoi Von der Leyen.
Për Presidenten e Komisionit Evropian çelja e degës së këtij kolegji në Tiranë është një dhuratë e madhe që Shqipëria i bën Bashkimit Evropian.
“E dashur Federica! Ju keni thënë që ne jo vetëm japim Evropën si mësim, por studentët tanë i lejojmë ta formësojnë Evropën. Studentët, 31 për vitin e parë, që do të studiojnë në Kolegjin e Evropës, do të ndihmojnë formësimin e të ardhmen e BE. Dje çelëm procesin e aplikimeve. Që dje që çelëm aplikimet, u dhamë të drejtë të gjithë studentëve nga të gjithë anët e Evropës, që të marrin pjesë në këtë kurs masteri. Ju mund të bëni këto studime fantastike, duke eksploruar Evropën. Jam dakord me ty Edi, kur thua se është një dhuratë e madhe. Por nuk është thjesht vetëm dhuratë nga Evropa për Shqipërinë, por dhe një dhuratë madhore që Shqipëria i bën Evropës, në fakt Tirana i bën Evropës. Nga zemra do të themi: Rroftë Evropa!” – përfundoi Mogherini.
Nga shtatori i vitit 2024 do të nisë punën në Tiranë Kolegji i Bryzhit. Procesi i aplikimeve nisi ditën e djeshme 15 tetor. Në vitin e parë do marrin pjesë 31 studentë. Kolegji i Evropës është instituti i parë universitar në botë i studimeve pasuniversitare dhe trajnimeve në çështjet evropiane. I themeluar në vitin 1949 nga figura kryesore evropiane në vazhdën e Kongresit të Hagës, ka sjellë krijimin e Lëvizjes Evropiane. Kampusi i tij origjinal është në Bryzh, Belgjikë. Një kampus i dytë i kolegjit në Natolin (Varshavë), Poloni, u krijua në 1992 përpara negociatave të pranimit të Polonisë në BE.
Fraksion.com