AktualitetSportTë fundit

“Nuk jemi në ëndërr!”, Duka i ekzaltuar: Çfarë emocionesh! Çfarë nate! Çfarë lojtarësh! Çfarë tifozerie! Shqipëri, sa fort të duam!

Presidenti i FSHF-së, pasi ka folur direk mbas ndeshjes epike kundër Çekisë, të fituar 3-0 në “Arena Kombëtare”, ia ka lejuar vetes edhe një lëshim të vogël euforik, çka lexohet qartë në një postim të vonë të tij në rrjetet sociale:

“Nuk jemi në ëndërr! Fitorja na përket NE. 3 pikët na përkasin NE. TRE GOLA i shënuam ne! Vendi i parë është i yni! Ky është padyshim tetori më i bukur i 8 viteve të fundit.

Gjithmonë fatsjellës për ne. 8 vite më parë u kualifikuam në finalet e “EURO 2016”, ndërsa sot jemi shumë pranë finaleve të Kampionatit Europian ‘Gjermania 2024’.

Çfarë emocionesh! Çfarë nate! Çfarë lojtarësh! Çfarë tifozerie! Kjo kombëtare di vetëm të na lumturojë, të na mbushë sytë me lot gëzimi. Fjalët janë të pakta për të përshkruar fitoren e sotme.

Çekia ishte kundërshtari më në formë i këtij grupi, por kjo kombëtare është padyshim një tjetër nivel. E pakrahasueshme! E merituam plotësisht, ndaj le të këndojmë e të festojmë të gjithë bashkë sonte kudo ku ka shqiptarë.

Edhe dy ndeshje kanë mbetur. Edhe dy finale drejt ëndrrës ‘Gjermania 2024’. Faleminderit lojtarë, faleminderit stafi teknik.

Një falënderim të veçantë meriton edhe tifozeria jonë për sjelljen e përkryer dhe për mbështetjen e pakursyer ndaj kombëtares. Shqipëri, sa fort të duam!”

 

Fraksion.com