AktualitetKosovaRajoniTë fundit

Lista Serbe shprehet e gatshme të marrë pjesë në zgjedhjet komunale në veri të Kosovës

Lista Serbe, partia më e madhe e serbëve të Kosovës, e cila është themeluar dhe mbështetet nga Beogradi, tha të premten se është e gatshme të marrë pjesë në zgjedhjet e reja komunale në veri të Kosovës, duke i bërë thirrje Prishtinës për shpalljen sa më parë të tyre.

Shpallja e kësaj gatishmërie pasoi thirrjen e një nate më parë të presidentit te Serbisë Aleksandar Vuçiç drejtuar përfaqësuesve te serbëve në Kosovë që siç tha, “të dalin me nisma për organizimin sa më parë të zgjedhjeve në katër komunat” me shumicë serbe në veri të Kosovës.

“Kësisoj do të fillonte procesi me të cilin mekanizmat e pushtetit do të ishin në duart e atyre që jetojnë atje”, tha presidenti serb të mërkurën në mbrëmje ne nje interviste me televizionin Prva në Beograd.

“Sikundër gjithmonë i kemi marrë vendimet në bashkëpunim me Beogradin dhe presidentin Aleksandar Vuçiç, do të dëgjojmë këshillën e tij dhe jemi të gatshëm të dërgojmë mesazhin nga ky vend se jemi të gatshëm të marrim pjesë në zgjedhjet në katër komunat në veri dhe në këtë mënyrë të nxisim procesin politik dhe dialogun që do të ndihmonte përmbushjen e kushteve tona. Prandaj, kërkojmë nga Prishtina që sa më parë të shpallë zgjedhjet për kryetarët e rinj dhe kuvendet e reja të të katër komunave”, tha të premten kryetari i Listës Serbe, Goran Rakiç, në një konference me gazetarë në Mitrovicën e Veriut.

Nuk pati ndonjë reagim të menjëhershëm nga institucionet në Prishtinë që janë shprehur të gatshme të organizojnë zgjedhje të reja në veri përmes një udhëzimi administrativ i cili ua mundëson qytetarëve t’i shkarkojnë kryetarët e komunave përmes një peticioni.

Katër komunat me shumicë serbe në veri, Mitrovicë e Veriut, Leposaviç, Zveçan e Zubin Potok udhëhiqen nga kryetarët shqiptarë që dolën nga zgjedhjet e muajit prill që u bojkotuan nga partitë serbe. Dërgimi i kryetarëve në zyrat e tyre në fund të muajit maj u kundërshtua ashpër nga grupe qytetarësh serbë të cilët u përplasen me policinë e Kosovës dhe forcat paqeruajtëse të NATO-s.

Qeveria e Kosovës e cila u përball me masa ndëshkuese nga Bashkimi Evropian u pajtua të organizojë zgjedhje të reja si pjesë e përpjekjeve për shtensionimin e situatës në veri.

 

Fraksion.com