Cristiano Ronaldo do të dënohet me 99 goditje me kamxhik për tradhti bashkëshortore
Cristiano Ronaldo mund të përballet me një dënim të dyshuar prej 99 goditjesh me kamxhik në Iran për tradhti bashkëshortore, sipas mediave iraniane si ‘Rouydad24’ dhe ‘Sharq Emroz’.
Drejtësia iraniane ia ka shqiptuar këtë dënim yllit portugez 38-vjeçar të Al-Nassr-it, i cili ka një lidhje romantike me Georgina Rodríguez, pasi në shtator udhëtoi në Teheran me ekipin e tij për të luajtur ndaj Persepolis në Ligën Aziatike të Kampionëve. Një ndeshje që skuadra e CR7 e fitoi 0-2.
Gjatë asaj vizite në Iran, futbollisti i dha një fanellë të firmosur, përqafoi dhe puthi Fatemeh Hamami, një piktore me 85% paralizë trupore, në shenjë mirënjohjeje që i dhuroi dy nga veprat e bëra me këmbët e saj.
Shtypi iranian pretendon se shumë avokatë iranianë kanë bërë ankesa kundër Cristiano Ronaldos për këtë veprim, pasi sipas ligjit iranian prekja e një gruaje beqare është e barabartë me tradhtinë bashkëshortore.
Me sa duket, sistemi i drejtësisë iraniane do të duhet ta dënojë me 99 goditje me kamxhik Cristiano Ronaldon herën tjetër që ai të vizitojë Iranin, megjithëse dënimi mund të falet nga një gjyqtar, nëse aktet nuk janë të dënueshme ose protagonistët tregojnë pendim.