Ramadani tregon bisedën me Ajetin dhe Gjimshitin: Çekët bënë vetëm golin me dorë, asgjë tjetër
Kombëtarja shqiptare e futbollit fitoi 3-0 kundër Çekisë në “Air Albania”, për grupin E të Euro 2024. Në stadiumin e tejmbushur të Tiranës vendosi goli i Jasir Asanit në minutën e 10-të dhe dopieta e Taulant Seferit në minutat 51 dhe 73. Me këtë sukses djemtë e Sylvinhos ngjiten me 13 pikë në krye të grupit dhe janë me një këmbë në fazën finale të “Gjermani 2024”.
Pas ndeshjes për Supersport foli edhe Ylber Ramadani, që e nisi titullar ndeshjen.
“Është natë e madhe për të gjithë dhe janë tre pikë shumë të rëndësishme, u futëm për të fituar dhe jo barazuar. Kur shënuam ata sulmuan sepse ishin të dytët në grup, por për ne është një mbrëmje e madhe. Përqafova babin dhe më tha se ka mbetur edhe një ndeshje. Sot para ndeshjes fola me Ajetin dhe Gjimshitin, i thashë se unë luaja në Kosovë kur ju shkuat dhe shpresoj që edhe unë ta bëj ëndrrën realitet. Kur erdha në fillim në Shqipëri kisha vështirësi, luaja me Partizanin B për tre katër muaj, por nga aty mësova shumë. Tani e njohim shumë mirë njëri-tjetrin, kundërshtarët nuk kanë shumë shanse, bënë vetëm golin me dorë dhe asgjë tjetër. Fitoren ia dedikoj Zotit dhe pastaj familjes sime”, u shpreh Ramadani.
Fraksion.com