AktualitetPolitikëTë fundit

Rama: Kosova rrezikon të humbasë shansin historik nga plani franko-gjerman

Kryeministri Edi Rama deklaroi në Kuvend se Kosova sot po rrezikon ta humbasë shansin historik që i jep plani franko-gjerman, për të bërë një progres të jashtëzakonshëm, më kuptimplotë në luftën diplomatike me Serbinë.

Gjatë mocionit me debat në Kuvend për Kosovën, Rama tha se ajo po humbet dita – ditës, dhe vetëm prej mosbërjes së atij asociacioni, besimin dhe respektin e atyre që e njohën si shtet të pavarur dhe që janë angazhuar ta çojnë drejt njohjes përfundimtare nga të gjithë si një Republikë e pavarur e komunitetit të madh të shteteve të OKB-së.

“Ndërsa duke u bërë fakt i kryer, pikërisht ai asociacion që mistifikohet përditë si të ishte kali i rilindur i Trojës që aleatët strategjikë po duan ta fusin me hile në Prishtinë, do të kthehet menjëherë në një litar në këmbët e Serbisë. Nëse asociacioni bëhet si duhet, në bashkëpunim të ngushtë me aleatët tanë, Serbia nuk do të lëvizë dot aq lirshëm sa ka lëvizur tërë këto kohë mes Brukselit e Uashingtonit, duke shfrytëzuar qasjen e gabuar të Prishtinës në procesin e dialogut dhe duke e nënvizuar në çdo rast si viktimë refuzimin me një çmim krejt të paarsyeshëm të një asociacioni komunash, i cili i kyçur brenda kornizës kushtetuese të Republikës së Kosovës, do të ishte i zhveshur nga çdo potencial kërcënimi për destabilizim të shtetit të Kosovës”, shtoi ai.

Rama kujtoi se këtë gjë e kërko edhe Presidenti Clinton kur erdhi në Tiranë.

“Presidenti Clinton më tha: ‘Thuaju miqve të mi në Prishtinë, të mos e humbasin shansin e madh të marrëveshjes mbi planin franko-gjerman. Tregoju nga ana ime se si e humbi Jaser Arafati mundësinë e artë të paqes, kur e kishte mbi tavolinën e Zyrës Ovale dokumentin e marrëveshjes më të mirë që është shkruar ndonjëherë, për zgjidhjen përfundimtare të atij konflikti, pak javë përpara se sa unë të lija Shtëpinë e Bardhë. Izraelitët thanë po, do ta firmosim. Edhe Jaser Arafati tha po, do ta firmos. Unë porosita të më bënin gati urdhrin për të filluar organizimin e ceremonisë së shumëpritur me dekada. Të nesërmen Arafati më mori në telefon dhe më tha, “Zoti President, ju keni bërë atë që askush nuk e ka bërë për Palestinën dhe marrëveshja është më e mira e mundshme, por unë nuk e firmos dot’”. u shpreh Rama.

Duke cituar më tej Presidentin Clinton, kryeministri u shpreh se ai kërkoi që Kosova jo vetëm nuk duhet t’i zhgënjejë miqtë e saj të ditëve më të vështira, po duhet të punojë njësh me ta, për të bërë paqe. Dhe të finalizosh paqen kërkon edhe më shumë kurajë se sa të nisësh luftën”.

Në këtë drejtim, Rama u shpreh se ajo që po ndodh sot mes Palestinës dhe Izraelit është përshkallëzimi më i tmerrshëm i një tragjedie njerëzore, të prodhuar nga frika e lidershipit politik për të bërë paqe me armikun historik. “Ky është thelbi.”.

 

Fraksion.com