AktualitetPolitikëTë fundit

“Me Ramush Haradinajn konflikt personal”, Rama: Me Kryeministrin Kurti kam divergjenca mbi mënyrën si arrihet tek qëllimi i përbashkët kombëtar

Kryeministri Edi Rama, gjatë mocionit me debat në Kuvend, foli sot për marrëdhëniet që ka me secilin prej liderëve të Kosovës, ndërsa shtoi se me kryeministrin aktual të Kosovës ka divergjenca botëkuptimore, mbi mënyrën se si arrihet tek qëllimi i përbashkët kombëtar.

“E vërteta më e hidhur është se e gjithë kjo tollovi gërmash dhe gërgërrmash shqip, ku në lumenjtë e marrëzive të thëna e të shkruara nga të dyja anët, gjaku i dëshmorëve të Kosovës, nga komandanti legjendar Adem Jashari tek efektivi i policisë Afrim Bunjaku, përzihet me vrerin e inateve politike provinciale, i cili pastaj shpërndahet në rrjetet sociale me video për të diskredituar Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Ramush Haradinajn e Isa Mustafën apo me dacibao të afishuara në Fej Sbu Ki, tamam si në kohën e revolucionit kulturor kinez, për Sekretarin Amerikan të Shtetit dhe për të tjerë përfaqësues të vendeve aleate, nuk më bën dëm mua. Kjo është e vërteta më e hidhur, nuk na bën dëm ne, po i bën dëm dinjitetit të Kosovës, marrëdhënieve strategjike mes Kosovës dhe komunitetit euro-atlantik, si edhe vetë procesit të shtetnjohjes përfundimtare të Kosovës”, theksoi ai.

Rama tha se Albin Kurtin e ka mik më shumë se sa Ramush Haradinajn, me të cilin në një segment të caktuar të këtij rrugëtimi është gjendur në një konflikt personal, kur ai ishte kryeministër.

“Ndërsa me Albinin s’kam pasur kurrë asnjë problem personal, madje në nivelin personal e kam kënaqësi çdo bisedë me të. Por, me kryeministrin aktual të Kosovës kam divergjenca botëkuptimore, mbi mënyrën se si arrihet tek qëllimi i përbashkët kombëtar. Prandaj marrëdhënia miqësore, nuk ka më ka penguar me të tjerë më parë dhe nuk ka se si më pengon sot, as që t’i kem dhe as që t’i shpreh divergjencat e lidhura pazgjidhshmërisht me detyrën time si kryeministër i Shqipërisë, jo me mua personalisht”, u shpreh ai.

Por gjithashtu, vijoi Rama, “fakti që me Ramushin kemi pasur një krisje në miqësi, nuk ka sesi më pengon që të shpreh këtu, publikisht, neverinë time më të madhe, për një video propagandistike të porositur dhe të shpërndarë ditët e fundit përmes tastierave të luftës civile digjitale, ku Ramushi shfaqej duke trokitur gotat në një koktej me përfaqësuesit e Listës Serbe dhe bëhej copë nga trollsat e trushpëlarjes kinse patriotike”.

“Ramush Haradinaj, si çdo komandant tjetër që ka parë gjakun në fytyrën e shokëve të vrarë nga plumbat e Serbisë fashiste dhe si çdo luftëtar që ka fituar luftën me armë të vërteta, duke varrosur vëllezër e shokë lufte të vrarë e duke rrezikuar ta marrë edhe vetë plumbin e armikut në ballë, e nuk ka luftë imagjinare për të bërë, duke hapur varre digjitale në Facebook për ata që mendojnë ndryshe, pa rrezikuar asgjë, i fshehur pas profilive fallco, nuk ka sesi ta ketë problem të trokasë gotat me deputetë serbë të Kosovës në një koktej krejt të zakonshëm, madje në praninë e mediave mesa pashë – se mund të ishte edhe në një mjedis privat dhe prapë do të ishte e neveritshme, po të sulmohej për diçka të tillë me këto mjete kineze të kohës së Mao Ce Dunit, duke u futur në rreth si tradhtar i kombit”, tha ai.

Kryeministri vijoi duke thënë se “kush nuk ka mizë nën kësulë dhe kush nuk ka gurë për të hedhur pa e fshehur dorën, bën luftën kur është për të bërë luftën dhe bën paqen kur është për të bërë paqen”.

“Prandaj turpi i mbuloftë ata që sot e harrojnë me lehtësinë e një puple, se pa qindra e mijëra Ramushët e UÇK-së, sot nuk do ta gëzonin, lirinë e shprehjes deri në mundësinë e abuzimit ekstrem, lirinë e shprehjes dhe as do kishin shans fare të derdhnin përditë plumba fjalësh, shqiptarë kundër shqiptarësh, për turpin e dheut, në një inerci ku përplasja demokratike mes kundërshtarësh politikë, ka degraduar në një luftë të vërtetë civile digjitale, e cila e merr frymëzimin këtu në Kuvendin e Shqipërisë, e merr frymëzimin atje në Kuvendin e Kosovës dhe nga odat mediatike të debateve pa pikë yndyre, ku tjetri sulmohet për t’i shembur dinjitetin personal me akuza nga më monstruozet, jo për t’i rrëzuar argumentin, me forcën e logjikës së kundërargumentave”, tha ai.

 

Fraksion.com