Uncategorized

“Ka ca këtu tek ne gjoja patriotë”, Balla: Shqipëria dënon ashpër sulmin e armatosur ndaj Kosovës

Ministri i Brendshëm, Taulant Balla deklaroi sot se, Shqipëria dhe Kuvendi sot e dënon ashpër, me forcën më të madhe, sulmin e dhunshëm të armatosur ndaj Republikës së Kosovës, më 24 shtator.

Në fjalën e tij gjatë seancës plenare ku po diskutohet pr/rezoluta për Kosovën, Balla u shpreh se, “më 24 shtator, njësi paramilitare serbe, dukshëm me mbështetje logjistike, politike dhe më pas edhe me nderime shtetërore nga Serbia, sulmuan republikën e Kosovës dhe sovranitetin e saj. Dhe mbi të gjitha kthyen pas një proces thelbësor dialogu, të udhëhequr nga bashkësia ndërkombëtar për marrëveshjen përfundimtare mes Kosovës dhe Serbisë”.

“Shqipëria dhe Kuvendi sot e dënon ashpër, me forcën më të madhe, sulmin e dhunshëm të armatosur ndaj Republikës së Kosovës, më 24 shtator”, tha Balla.

“Ky sulm ishte dhe është një akt kriminal dhe i rrezikshëm agresioni, kundër stabilitetit, integritetit, pavarësisë dhe sigurisë së Kosovës. Ai është gjithashtu një kërcënim serioz për sigurinë dhe stabilitetin e gjithë rajonit tonë me pasoja për Evropën tonë të përbashkët”, theksoi Balla.

“Vrasja e një oficeri të policisë së Kosovës në krye të detyrës, e bëri edhe më tragjik, edhe më të dhimbshëm këtë akt agresioni”, nënvizoi Balla.

Ai u shpreh se, “Shqipëria e mbështet fuqishëm popullin dhe qeverinë e Kosovës, të cilët sot po përballen me tentativa të rrezikshme për ta destabilizuar Republikën e Kosovës. Ndërkohë që bëjmë përpjekje për të ndërtuar një të ardhme evropiane të begatë për të gjithë qytetarët të të gjitha komuniteteve”, tha Balla.

“Qëndrimi zyrtar i Shqipërisë përmes kryeministrit Edi Rama, qeverisë së saj, është qëndrimi i vetëm i duhur që duhet dhe mund të mbajë Shqipëria jonë”, nënvizoi Balla.

Duke folur për deputetët e opozitës, Balla u shpreh se, “ka ca këtu tek ne që u dëgjuan dhe nuk hezituan edhe sot, ca gjoja patriotë të mëdhenj, edhe në këtë sallë, që nga inati i politikës së ditës po rreken ta përdorin situatën e re të krijuar në 24 shtator, para dhe pas, si një instrument për të goditur kryeministrin e Shqipërisë. U pa sot edhe në fjalën e shumicës së folësve në emër të opozitës”./atsh

 

Fraksion.com