Izraeli i vazhdoi bombardimet e pareshtura në Gaza gjatë natës
Izraeli i ka vazhduar bombardimet e pareshtura në Gaza gjatë natës mes 10 dhe 11 tetorit, duke i vrarë së paku 30 persona.
Ushtria e Izraelit tha të mërkurën në mëngjes se avionët e saj luftarakë i goditën më shumë se 200 caqe në një lagje të qytetit Gaza, për të cilat tha se ishin shfrytëzuar nga Hamasi për t’i nisur sulmet e papara dhe befasuese ndaj Izraelit në fundjavë.
Një zëdhënës i Hamasit në Gaza tha të mërkurën se së paku 30 persona u vranë si pasojë e sulmeve ajrore izraelite gjatë natës.
Numri i përgjithshëm i të vrarëve në enklavën e mbipopulluar bregdetare është rritur në 950, ndërsa janë plagosur 5.000 njerëz, tha Ministria e Shëndetësisë e Gazës.
Të shtunën, militantët e armatosur të Hamasit nga Rripi i Gazës e sulmuan vrullshëm Izraelin në pjesët e tij jugore, duke e kryer sulmin më vdekjeprurës palestinez në historinë e Izraelit.
Ushtria izraelite tha të mërkurën se numri i përgjithshëm i të vrarëve në Izrael ka arritur në 1.200 dhe se më shumë se 2.700 njerëz janë plagosur.
“Ne kemi shumë njerëz të vrarë”, tha zëdhënësi i ushtrisë izraelite, koloneli Jonathan Conricus, në rrjetin social X.
Shumica e viktimave ishin civile, të vrarë me armë në shtëpitë e tyre, në rrugë apo në një festival të hapur. Shumë njerëz të huaj dhe izraelitë u zunë rob dhe u dërguan në Gaza nga militantët e Hamasit.
Militantët e Hamasit kërcënuan të hënën se do t’i vrasin pengjet izraelite, civilë dhe ushtarë, nëse Izraeli vazhdon ta bombardojë Gazën pa paralajmërim, por nuk ka ndonjë indikacion që e kanë bërë një gjë të tillë derisa ushtria izraelite nuk po i ndal sulmet ajrore.
Ministri i Mbrojtjes i Izraelit, Yoav Gallant, tha duke u folur ushtarëve afër kufirit me Gazën se “Hamasi e donte një ndryshim dhe do ta ketë atë. Nuk do të mbetet asgjë nga ajo që sot është në Gaza”.
Së paku 1.000 militantë të armatosur, të cilët ishin futur në Izrael nga Gaza, u vranë, raportoi gazeta izraelite Hayom.
Izraeli i tërhoqi trupat nga Gaza në vitin 2005, 38 vjet pas okupimit dhe i ka vënë bllokadë kësaj enklave qëkur Hamasi e mori në dorë pushtetin në vitin 2007./REL
Fraksion.com