AktualitetBota+Të fundit

Hamas publikon video rrëqethëse nga sulmi në Izrael

Vdekja e një gjysheje që transmetohet drejtpërdrejt, militantë që njoftojnë izraelitët se të afërmit e tyre janë vrarë ose video poshtëruese të pengjeve… Të gjitha këto tregojnë vendosmërinë e Hamasit për të përdorur propagandën në media sociale krahas dhunës, thonë ekspertët.

Mor Bayder nuk u zgjua të shtunën si zakonisht nga zilja e telefonatës së gjyshes së saj. Përkundrazi, ajo mori vesh për “vrasjen brutale” të gjyshes nga sulmi i Hamasit në një fshat në kufi me Rripin e Gazës, nga një postim në Facebook, shprehej Bayder në atë rrjet social.

“Një terrorist hyri në shtëpinë e saj, e vrau, i mori telefonin, e filmoi atë tmerr dhe e postoi në faqen e saj në Facebook. Kështu e morëm vesh”, shtoi ajo.

Duke folur për kanalin televiziv izraelit Canal 13, Bayder e përlotur tha se vrasësi e kishte telefonuar tezen e saj duke e detyruar atë të shihte pamjet e gjyshes së saj “të mbytur në gjak” në kibucin Nir Oz, vetëm dy kilometra larg Gazës së kontrolluar nga Hamasi.

Disa izraelitëve të zonës nuk u dihet fati.

‘Përmasa të pashembullta’

Dhuna është emëruesi i përbashkët në shumë foto dhe video të tjera të përhapura në internet nga Hamasi ose mbështetësit e tij që nga e shtuna.

“Është e qëllimshme: Synimi është të krijojë një ndjesi dobësie, paralize dhe poshtërimi,” thotë Michael Horowitz, një analist sigurie i firmës Le Beck International.

Edhe pamjet më të rënda janë bërë virale, përfshirë pamjet e trupit pjesërisht të zhveshur të një gruaje në një kamion, ndërsa burra të armatosur bërtasin.

Nëna e saj e ka identifikuar atë si Shani Louk, një gjermano-izraelite në të njëzetat.

Një tjetër video e shpërndarë gjerësisht tregon një familje të strukur pranë njëri-tjetrit të ulur në tokë. Një djalë vetëm gjashtë apo shtatë vjeç e pyet mamanë nëse motra do të kthehet, dhe ajo detyrohet të përgjigjet “jo” me të qarë – dhe më pas e mbulon djalin me trupin e saj, ndërsa në video shfaqen këmbët e rrëmbyesit të mundshëm.

Megjithëse kjo lloj propagande nuk është e re në arsenalin e Hamasit…

“Sot shohim metoda shumë më të sofistikuara të manipulimit dhe propagandës nga Hamasi,” thotë Ruslan Trad, stuudiues në Laboratorin e Kërkimeve Dixhitale të Këshillit të Atlantikut.

Në ditën e katërt të sulmit masiv të papritur të Hamasit, që Izraeli e ka krahasuar me sulmet e 11 shtatorit 2001 në Shtetet e Bashkuara, qindra izraelitë dhe palestinezë janë vrarë.

‘Dëshmi për krime lufte’

Postimet e Hamasit janë amplifikuar në internet, pasi ato “përhapen sistematikisht nga trollët iranianë dhe rusë dhe nxiten nga media shtetërore”, thotë David Colon, profesor në universitetin Po në Paris.

“Edhe qëndrimi i Kinës është i paqartë”, thotë ai, duke vënë në dukje se platforma TikTok, që është në pronësi të një kompanie kineze, “po lejon qarkullimin masiv të përmbajtjeve tronditëse”.

Ndërkohë marrja nën kontroll e platformës X, dikur Twitter, nga Elon Musk, ka bërë që ekipet e moderimit të përmbajtjes të rrjetit social të mos kenë burime të mjaftueshme duke sjellë si rezultat që video të tmerrshme që dikur do të ishin fshirë menjëherë, tani mbeten të postuara për orë të tëra”, shton prof. Colon.

Por duke postuar këto video, Hamasi ofron gjithashtu provat më të qarta të krimeve të këtij grupi.

“Hamasi dhe mediat e tjera palestineze të lidhura ose jo me të, po ofrojnë prova për krime lufte”, thotë zoti Horowitz.

Grupi militant konsiderohet si organizatë terroriste nga SHBA dhe Bashkimi Evropian që pas bombardimeve vetëvrasëse në vitet 1990 dhe 2000.

 

Fraksion.com