AktualitetKosovaRajoniTë fundit

Gjermania kërkon zbardhjen e ngjarjeve në Banjskë dhe qetësimin e situatës

Ambasadorja e Gjermanisë në Serbi, Anke Konrad, ka thënë të mërkurën se ngjarjet e 24 shtatorit në fshatin Banjskë në veri të Kosovës duhet të sqarohen dhe se gjendja duhet të qetësohet.

“Situata aktuale nuk është e qëndrueshme për njerëzit në veri të Kosovës, e as për njerëzit në Serbi dhe Kosovë në përgjithësi”, tha Konrad për gazetën Blic të mërkurën.

Ajo tha se është e rëndësishme të krijohen kushte për rikthimin e dialogut për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë sa më shpejt që të jetë e mundur, për zbatimin e Marrëveshjes së Brukselit nga viti 2013, duke përfshirë edhe krijimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, si dhe zbatimin e dy marrëveshjeve të arritura këtë vit në Bruksel dhe Ohër.

Konrad, po ashtu, theksoi domosdoshmërinë e mbajtjes së zgjedhjeve lokale në komunat e Kosovës me shumicë serbe dhe kthimin e përfaqësuesve politikë të serbëve në institucionet e Kosovës.

Pas sulmit kundër Policisë së Kosovës më 24 shtator në Banjskë, ku u vranë një polic dhe tre sulmues, nga Bashkimi Evropian (BE) u dërguan sinjale se masat ndaj Serbisë janë të mundshme, nëse vërtetohet se ajo ka lidhje me këtë sulm.

Serbia i ka hedhur poshtë akuzat e Kosovës se ajo qëndron pas sulmit të cilësuar nga autoritetet kosovare si “tentim për ta aneksuar veriun e Kosovës”.

Më 2 tetor, zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, tha se Brukseli është në pritje të rezultateve të plota të hetimeve, që ta ketë një pasqyrë të qartë të asaj që ka ndodhur dhe se, në bazë të asaj, vendet anëtare do të marrin vendime, përfshirë edhe ndonjë masë të mundshme kundër Serbisë.

Masa ndaj Serbisë kërkuan në të njëjtën ditë kryeministrat e Kroacisë dhe Shqipërisë, Andrej Plenkoviq dhe Edi Rama.

Paraprakisht, presidenti serb Aleksandar Vuçiq kishte deklaruar se sekretari amerikan i Shtetit, Anthony Blinken, ia ka përmendur një mundësi të tillë në një bisedë telefonike./REL

 

Fraksion.com