Guterres për sulmet e Hamasit: Asgjë nuk mund të justifikojë terrorin
Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së Antonio Guterres bëri thirrje të hënën për ndërprerjen e menjëhershme të sulmeve ndaj Izraelit dhe lirimin e të gjitha pengjeve. Ai gjithashtu paralajmëroi ushtrinë izraelite që të kryejë operacionet e tyre në përputhje me ligjin ndërkombëtar.
“Unë i kuptojë ankesat legjitime të popullit palestinez, por asgjë nuk mund të justifikojë këto akte terrori, vrasje, gjymtime dhe rrëmbime civilësh”, u tha Guterres gazetarëve në selinë e OKB-së pas një takimi urgjent të zyrtarëve të lartë të OKB-së. “Përsëris thirrjen time për ndërprerje të menjëhershme të këtyre sulmeve dhe për lirimin e pengjeve”.
Të shtunën në mëngjes, luftëtarët e Hamasit filluan një sulm të koordinuar dhe të befasishëm në disa qytete izraelite, duke vrarë, plagosur dhe rrëmbyer qindra izraelitë dhe disa të huaj.
Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së tha se është “thellësisht i shqetësuar” që Izraeli planifikon të vendosë të gjithë Rripin e Gazës, ku banojnë më shumë se 2 milionë njerëz, nën një rrethim të plotë, duke mos lejuar hyrjen e ushqimit, karburantit dhe furnizimin me energji elektrike.
“Situata humanitare në Rripin e Gazës ishte jashtëzakonisht e rëndë edhe para këtyre luftimeve. Tani, ajo do të përkeqësohet në mënyrë eksponenciale”, paralajmëroi zoti Guterres.
Ai tha se ndihmat humanitare dhe punonjësit e organizatave humanitare duhet të lejohen të hyjnë në Rripin e Gazës.
Organizata e Kombeve të Bashkuara thotë se më shumë se 120 mijë njerëz janë zhvendosur brenda Rripit të Gazës. Dëmtimi i objekteve të ujit, kanalizimeve dhe higjienës ka prekur shërbimet për më shumë se 400 mijë njerëz. OKB-ja tha se termocentrali i Gazës është tani burimi i vetëm i energjisë elektrike në Gaza dhe furnizimet me karburant mund të mbarojnë brenda disa ditësh.
Programi Botëror i Ushqimit filloi shpërndarjen e ndihmave për palestinezët në kampet e menaxhuara nga Agjencia e OKB-së për Ndihmat Humanitare, që ndihmon refugjatët palestinezë.
Sekretari Guterres tha se ai dhe i dërguari i OKB-së për Lindjen e Mesme, Tor Wennesland po bisedojnë me udhëheqësit rajonalë për të shprehur shqetësimin e tyre për situatën dhe për të çuar përpara përpjekjet për të shmangur përhapjen e konfliktit në zona të tjera të Lindjes së Mesme.
“Duhet t’i jepet fund këtij rrethi vicioz gjakderdhjeje, urrejtjeje dhe polarizimi”, tha zoti Guterres.
Ai bëri thirrje për një paqe të negociuar në formën e një zgjidhjeje me dy shtete, që përmbush nevojat e Izraelit për sigurinë dhe aspiratat e palestinezëve për një shtet.
Fraksion.com