AktualitetTë fundit

Vdekja e fëmijës 3-vjeçar pas trajtimit në klinikë, prokuroria e Tiranës: Hetime për ‘neglizhencë në trajtimin mjekësor’

Prokuroria e Tiranës ka nisur hetimet ndaj mjekut Roland Xhaxho dhe stafit të klinikës për ‘Neglizhencë në trajtimin mjekësor’, për vdekjen e djalit 3-vjeçar, i cili humbi jetën pas një ndërhyrje dentare në klinikën private ‘Splendent’.

Prokuroria ka sekuestruar kartelat mjekësore në klinikën private si edhe në QSUT.  Në një foto nga kartela e klinikës,  shihet se të miturit i janë konstatuar 14 dhëmbë për t’i mbushur, të gjithë dhëmbët në pjesën e sipërme të nofullës dhe 4 dhëmballë në pjesën e poshtme të nofullës.

Reagimi i Prokurorisë:

Duke marrë parasysh ndjeshmërinë e madhe të opinionit publik për ngjarjen ku i mituri me inicialet B.S., humbi jetën pas trajtimit në një klinikë private, si dhe interesin e shtuar të medias në lidhje me këtë çështje, Prokuroria Tiranë dëshiron të informojë se:

Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiskionit të Përgjithshëm Tiranë, mbi bazën e materialit të referuar nga Komisariati i Policisë Nr.4 më shkresën Nr.7057/k Prot të datës 04.10.2023, ka regjistruar më datë 05.10.2023 procedimin penal nr.6477 të vitit 2023, për veprën penale “Neglizhenca në trajtimin mjekësor”, parashikuar nga neni 96 i Kodi Penal. Nga ana e prokurorisë, po vijon kryerja e veprimeve të tjera procedurale në lidhje me procedimin penal, me qëllim evidentimin e të gjitha rrethanave dhe shkaqeve të vdekjes së shtetasit.

 

Fraksion.com