AktualitetTë fundit

Vdekja e 3-vjeçarit pas ndërhyrjes kirurgjikale në Tiranë, Prokuroria nis hetimet! Babai: Doli në gjendje të rëndë, iu dëmtuan organet

Prokuroria e Tiranës ka nisur hetimet pas ngjarjes së rëndë, ku 3-vjeçari Brian Spahiu humbi jetën pas një ndërhyrje kirurgjikale në klinikën dentare ‘Splendent’. Prokuroria ka sekuestruar kartelat klinike në QSUT por edhe në klinikën private ku është bërë ndërhyrja. Ndërkohë, Bledar Spahia, babai i 3-vjeçarit thotë për mediat se fëmija ka qenë në gjendje të rënduar pas ndërhyrjes dhe ata akuzojnë mjekun Roland Xhaxho se i ka injektuar narkozë më dozë të lartë.

Pas deklaratës së mjekut anestezist Roland Xhaxho, i cili tha se i mituri kishte probleme me zemrën, babai mohon dhe thotë se fëmija nuk kishte më probleme dhe publikon recetën ku mjeku pediatër Albert Koja ka shkruar se nuk është problem që i mituri ta realizojë ndërhyrjen në gojë. Report Tv kontaktoi edhe mjekun pediatër Albert Koja lidhur me këtë rast, por ky i fundit nuk pranoi të prononcohej.

Babai ndërsa ngre pretendime se doza e lartë e narkozës i kishte dëmtuar 3-vjeçarit organet e tjera jetësore, si veshkat dhe mëlçia. Familjarët thonë se dentistja ka ndërhyrë në 14 dhëmbë.

“Gjendja sa ka vajt ka qenë shumë e rënduar. Pjesën e zemrës unë do ta nxjerr letrën prapë. Unë si prind, nëse ai do kishte probleme, duke biseduar me doktorët atje s’do e çoja fare. Është një fëmijë 3-vjecar. Ti bësh 14 dhëmbë, nuk i bëj unë. Pjesa e lekëve. Nuk e ka përmend asnjë njeri. Kartela e dentistes, ka nxjerrë 14 dhëmbë mbushje. Ka marrë 700 mijë lekë për mbushjen. Nga anestezia i ishin dëmtuar të gjitha organet, mëlçia veshkat, të gjitha”, tha babai për Report Tv.

Bledar Spahiu thotë se mjeku Xhaxho gënjen dhe se sipas tij duhet të sekuestrohen. Ndërsa shton se edhe përmes kamerave të bizneseve rreth e rrotull klinikës mund të vërtetohet se djali ka dalë në gjendje të rëndë dhe sipas tij i kanë rënë disa herë në telefon mjekut, por ai nuk është përgjigjur.

“Ka marrë 700 mijë lek për mbushje. E ka atje me kamera. Policia të sekuestrojë kamerat”, thotë ai.

Mjeku Roland Xhaxho ka dalë dje me një deklaratë për shtyp përmes të cilës thotë se fëmija kreu në klinikë procedurat dentare nën anestezi të përgjithshme. Për këtë pretendon se ka sqaruar prindërit të cilët kanë firmosur edhe konsensusin. Kjo mënyrë e trajtimit sipas tij u zgjodh si pasojë e një defekti në zemër që kishe djali i mitur. Sipas mjekut, procedura ka qenë e zakonshme, rutinë sipas të gjitha protokolleve dhe pa asnjë problematikë të veçantë. Ndërkaq pretendon se 3 vjeçari kur ka dalë nga klinika ka qenë zgjuar në krahët e të atit.

Familja Spahiu e denoncoi ngjarjen në komisariatin nr 4. Rasti në ngarkim të mjekut Roland Xhaxhos, është referuar në prokurori për veprën penale “neglizhencë në mjekim.” Në hetim është edhe mjekja Ina Xhaxho. Po ashtu mësohet se Urdhri i Stamatologut ka nisur verifikimet për këtë rast.

 

Fraksion.com