AktualitetPolitikëTë fundit

Nënshkruhet marrëveshja për hapjen e Kolegjit të Evropës në Tiranë me Rektoren e tij Federica Mogherini

U nënshkrua sot në Tiranë, Memorandumi i Mirëkuptimit për hapjen e kampusit të Kolegjit të Evropës. Kolegji i Europës, një nga institucionet kryesore në zhvillimin dhe promovimin e projektit europian, do të vendoset në një nga simbolet e transformuara të kryeqytetit, te Piramida, ndërtesë që po merr një pamje të re, për t’u shndërruar në qendrën e teknologjisë dhe informacionit për Ballkanin Perëndimor.

Memorandumi i Mirëkuptimit për hapjen e kampusit të Kolegjit të Evropës në Tiranë u firmos sot nga Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu, Rektorja e Kolegjit të Evropës Federica Mogherini dhe Kryetari i Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj, në praninë e Komisionerit të Bashkimit Evropian për Fqinjësinë dhe Zgjerimin, Oliver Varhelyi dhe Ambasadorit të Delegacionit të Bashkimit Evropian në Shqipëri, Luigi Soreca.

Gjatë takimit për nënshkrimin e Memorandumit të Mirëkuptimit për hapjen e Kampusit të Evropës, Oliver Varhelyi komisioneri i Zgjerimi për BE-në ka deklaruar se anëtarësimi i Shqipërisë në BE po ndodh. Komisioneri për Fqinjësinë dhe Zgjerimin Oliver Varhelyi u shpreh se kolegji i Evropës është kthyer në simbolin e zgjerimit.

Hapja e Kampusit të Kolegjit të Evropës në Tiranë është inicuar një vit më parë nga Kryeministri Edi Rama në Samitin e Bashkimit Evropian të vendeve të Ballkanit në Tiranë. Ky është kampusi i tretë i Kolegjit të Evropës dhe i pari që do të jetë jashtë Bashkimit Evropian.

“Në dhjetor kur patëm samitin e parë të BE-së që ndodhi në një ka vendet kandidate të Ballkanit Perëndimor, pra këtu në Tiranë, kryeminsitri Rama erdhi dhe biseduam për këtë ide dhe tha që ne në Tiranë duam të kemi kampusin e ri të Kolegjit të Europës. Jo vetëm personat që punojnë në administratat, por mbi të gjitha të gjithë çdo ditë kuptojmë gjithnjë e më shumë sa i rëndësishëm është BE edhe për Europën Qendrore dhe Lindore. Natolini, Kolegji i Europës është kthyer në simbolin e zgjerimit të Europës, që mund të zgjerohet dhe që të bëjë të mundur që të gjitha pjesët e tjera të Europës të bëhen 1. Çdo lloj përsëritjeje e kësaj historie të rëndësishme është mëse e rëndësishme në vetvete, prandaj kur kryeministri na i kërkoi dhe vendosi të fillojë të bisedojë me mua, menjëherë unë mendova që po, në fakt kjo është patjetër një ide fantastike, dua të jem pjesë e kësaj dhe ta bëjmë këtë gjë të mundur dhe për këtë arsye i jam shumë falënderues kolegëve në Europë, në Tiranë etj. Gjëja e dytë që dëshiroj të them është që nuk ka një shenjë më të mirë dhe më të qartë se Shqipëria po bëhet shtet anëtar i BE-së sesa sjellja e kolegjit të Europës në Tiranë. Nëse shikojmë historinë e Europës Qendrore dhe Lindore, për shembull Natolini u krijua në vitin 1992, pra dy vjet pas rënies së murit të Berlinit, pas rënies së perdes së hekurt, kështu që po të bëjmë disa llogaritje i bie që mesazhi dhe ideja kryesore është që ky është një sinjal i qartë që anëtarësimi i Shqipërisë në BE po ndodh! Do të ndodhë anëtarësimi në BE, po vjen drejt Ballkanit Perëndimor dhe edhe më shumë gjëra të tilla do të dëgjoni gjatë ditës së sotme. Ky është drejtimi ku po shkojmë, ky është plani i rritjes që do të bëjmë sot për të përshpejtuar zgjerimin që nga data 1 janar i vitit të ardhshëm në mënyrë që ne të jemi gati për të pritur shtetet e reja të BE, sepse ne jemi gati për t’i pritur ato, për t’ju pritur juve”, u shpreh Oliver Varhelyi.

Ndërsa Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu e konsideroi historike për ndërkombëtarizimin e arsimit të lartë në Shqipëri dhe për afrimin drejt Bashkimit Evropian nënshkrimin e marrëveshjes për hapjen e Kolegjit të Evropës në Shqipëri.

“Finalizojmë një prej atyre endrrave që lindën kur ne kërkuam që të jemi si gjithë Evropa dhe në fakt nëse ka një emërues të përbashkët që na lidh së bashku dhe që na çon edhe më shpejt në Evropë është arsimi. Kolegji i Evropës, kampusi i Tiranës është një moment historik, në kuadër të ndërkombëtarizimit të universiteteve dhe të përafrrimit me Bashkimin Evropian”, tha Ogerta Manastirliu, Ministre e Arsimit dhe Sportit.

 

Fraksion.com