AktualitetPolitikëTë fundit

Ministrja e Jashtme Baerbock për herë të parë në Tiranë

Në sfondin e ashpërsimit të tensioneve mes Serbisë dhe Kosovës ministrja e Jashtme gjermane Baerbock (6.10.2023) do të konsultohet në Tiranë mbi perspektivën e afrimit të gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor në BE.

Për ministren e Jashtme të Gjermanisë, Annalena Baerbock, kjo është vizita e parë në Shqipëri. Ky takim konsiderohet si përgatitje e samitit të të radhës të Procesit të Berlinit më 16 tetor në Tiranë. Pjesëmarrjen në këtë takim Baerbock do ta shfrytëzojë edhe për bisedime me homologun shqiptar si dhe me kryeministrin e Shqipërisë.

Nisma e Procesit të Berlinit e ndërmarrë më 2014 nga kancelarja Angela Merkel synon arritjen në këto vende të standardeve, normave dhe praktikave të BE-së. Me Serbinë, Maqedoninë e Veriut, Malin e Zi dhe Shqipërinë ndërkohë po zhvillohen bisedimet e antarësimit. Bosnje-Hercegovina konisderohet si kandidate për antarësim ndërsa Kosova si kandidate e mundshme për antarësim.

“Të gjitha palët të intensifikojnë angazhimin për afrimin e Ballkanit Perëndimor në BE”.

Ministrja e Jashtme gjermane Baerbock (nga partia Të Gjelbërit) para nisjes për në Shqipëri bëri thirrje që të gjitha palët duhet të intensifikojnë angazhimin për afrimin e Ballkanit Perëndimor në BE. “BE-ja duhet ta mbajë fjalën e dhënë dhe vendet e Ballkanit Perëndimor duhet të çojnë përpara reformat e nevojshme”, deklaroi Baerbock. Sipas saj, shumë vende kanë bërë përparime, “megjithatë vazhdimisht përjetojmë edhe hapa pas, krijohen hendeqe të reja, që duhen kapërcyer në rrugën drejt BE-së.” Si shembull ajo përmendi ndër të tjera sulmin ndaj një patrulle policie më 24 shtator në Kosovë, ku mbeti i vrarë një polic kosovar.

Njerëzit në Ballkanin Perëndimor kanë vendosur për rrugën për në BE. Shtetet “presin janë duke pritur ndërkohë gjatë që të zenë vendin e tyre në tryezën” e BE-së, deklaroi më tej Baerbock. Pikërisht për të rinjtë është “mëse e qartë, që e ardhmja e tyre është në BE”.

Takimi i radhës i Procesit të Berlinit sivjet zhvillohet për herë të parë në një vend të Ballkanit Perëndimor. /DW

 

Fraksion.com