AktualitetPolitikëTë fundit

Rama në Granadë për takimin e Komunitetit Politik Europian

Kryeministri Edi Rama mbërriti sot në Granada, Spanjë për takimin e Komunitetit Politik Europian.

Teksa ka dhënë një deklaratë për gazetarët përpara se të nisë takimi i Komunitetit Politik Europian, Kryeministri Edi Rama ka deklaruar se situata në veri të Kosovës është e rrezikshme, pas ngjarjeve të ndodhura në Veri ku mbeti i vrarë efektivi, Afrim Bonjaku.

Kryeministri tha që autoritetet e Kosovës duhet të lëvizin përpara dhe të tregohen proaktivë në dialog dhe të marrin në konsideratë planin franko-gjerman.

Ndërkaq, kreu i qeverisë kërkoi që veprimi i Serbisë që mbajti zi për të vrarët të dënohet nga BE-ja.

“Jemi të shqetësuar sepse është situata e rrezikshme, tani është një pikë ku vit pas viti potenciali i rrezikut është rritur, aktivitetet kriminale në atë pjesë ku pakica serbe është më tepër e përqëndruar, tani janë lidhur me axhendën politike kështu që është shumë e rrezikshme.

Në këtë rast ka nevojë që autoritetet e Kosovës të lëvizin përpara dhe të tregohen proaktivë në dialog dhe të marrin në konsideratë planin franko-gjerman që është një marrëveshje shumë e mirë për Kosovën dhe rajonin.

Por në të njëjtën kohë, vetëm fakti se Republika e Serbisë ka deklaruar ditë zie për anëtarët e grupit kriminal paramilitar që vrau policin, është e mjaftueshme për të thënë që kjo nuk është europiane, nuk është e pranueshme”.

Pyetjes së gazetarëve nëse i druhet një lufte, Rama ju përgjigj: “Lufta është fjalë shumë e madhe, por përpara se të jetë vonë duhen ndërmarrë disa hapa. Ne jemi duke e ndjekur nga afër”.

Rreth 50 liderë evropianë priten sot në Granada, Spanjë,  si pjesë e një mbledhjeje të zgjeruar të quajtur Komuniteti Politik Evropian (EPC), me fokus në përmirësimin e bashkëpunimit, pavarësisht nga përkeqësimi i konflikteve dhe tensioneve në kontinent.

Takimi i tretë i tillë ka për qëllim t’u japë vendeve një shans për të nxitur dialogun përtej kufijve të 27 anëtarëve të Bashkimit Evropian në mes të sfidave të paraqitura nga kriza të tilla si lufta e Rusisë kundër Ukrainës.

Veprimtaria synon gjithashtu të ofrojë mundësi për liderët që të takohen në grupe më të vogla për bisedime jozyrtare, pa simbolikën dhe protokollet e vizitave shtetërore.

Komuniteti Politik Evropian është platformë për koordinim politik e krijuar mbi bazën e propozimit të presidentit francez, Emmanuel Macron, e cila synon nxitjen e dialogut dhe bashkëpunimit për çështje me interes të përbashkët, forcimin e sigurisë, stabilitetit dhe prosperitetit në kontinentin evropian.

 

Fraksion.com