AktualitetTë fundit

Inceneratori i Elbasanit, burg për Kokën, i pafajshëm Bllako

 Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar dënoi sot me burgim ish ministrin e Mjedisit lefter Koka, ndërsa shpalli të pafajshëm ish deputetin socialist Alqi Bllako, në procesin për rastin e inceneratorit të Elbasanit. Të gjithë personat e pandehur përfituan ulje më një të tretën për shkak të gjykimit të shkurtuar.

Për ish ministrin e Mjedisit Lefter Koka, dënimi përfundimtar ishte me 5 vjet e 8 muaj burgim, pasi ra akuza për shpërdorim detyre. Ai u gjet fajtor vetëm për korrupsion dhe pastrim parashë, ndërsa iu hoq e drejta e ushtrimit të funksioneve publike për një periudhë 5 vjeçare. Gjykata vendosi të lirojë nga sekuestro disa pasuri të zotit Koka duke e mbajtur këtë masë vetëm për një prej pronave të tij, një kantinë vere.

Gjykata rrëzoi akuzën e shpërdorimit të detyrës për ish-deputetin socialist Alqi Bllako, i cili sipas prokurorisë kishte mbajtur lidhje direkte me sipërmarrësit e përfshirë në kontratën për ndërtimin e inceneratorit të Elbasanit, duke i informuar ata në vazhdimësi për ecurinë e procesit. Prokuroria e posaçme kishte kërkuar për të dënimin me 2 vjet e 8 muaj burgim, por gjykata vendosi ta shpallë atë të pafajshëm. Zoti Bllako megjithatë nuk do të mund të dalë nga burgu, pasi ai u dënua javën e shkuar për rastin e inceneratorit të Fierit.

Dënimet më të larta u dhanë për dy nga sipërmarrësit e përfshirë në garën dhe ndërtimin e inceneratorit, Mirel Mërtirin, i konsideruar nga prokuroria si pronari i vërtetë i shoqërisë “Albtek Energy” sh.p.k, e cila fitoi koncensionin, dhe Klodian Zoton, ortak i vetëm dhe administrator i “Integrated Technology Services” sh.p.k, shoqëria që mori përsipër ndërtimin. Për shkak të gjykimit të shkurtuar dënimi përfundimtar për ta, u reduktua nga 10 vjet, në 6 vite e 8 muaj burg.

Dy sipërmarrësit akuzohen për korrupsion në bashkëpunim dhe pastrim parash. E njejta akuzë mbeti në fuqi dhe për bashkëpunëtoren e tyre Stela Gugallja, ortake e vetme dhe administrator e “Albtek Energy”. Por dënimi prej 7 vitesh burg për të, u konvertua në 4 vite e 8 muaj burg. Gugallja, Mërtiri dhe Zoto janë shpallur në kërkim.

Për ish zyrtarët e tjerë, anëtarë të komisionit të vlerësimit të ofertave, u dhanë dënime më të lehta që shkojnë nga 1 vit e 4 muaj deri në 2 vjet e 8 muaj burgim. Në këtë proces nuk u përfshi, anëtarja tjetër e Komisionit Etleva Kondi, e cila ka refuzuar gjykimin e shkurtuar.

Vendimi i sotëm, është i dyti, pas rastit të Fierit, që gjykata jep për hetimet ndaj kontratave për inceneratorët, të konsideruara si ndër aferat më të mëdha korruptive. Prokuroria e Posaçme ndërkohë po vijon hetimet dhe për rastin e Tiranës, i vënën në sekuestro dy muaj më parë./VOA

 

Fraksion.com