Berisha-mazhorancës:PE dënoi aktin terrorist në Kosovë, ju s’keni ndërgjegje kombëtare
Kryedemokrati Sali Berisha tha ne seancën e sotme plenare se kjo e enjte në Kuvend duhet t’i dedikohej ngjarjeve në Veri të Kosovës.
“E filluat seancën me një albanofobi që do gdhendet në muret e historisë si një nga aktet më të turpshme të këtij parlamenti, të kontrolluar totalisht nga një argat i shpifur i Vladimir Vuçiçit, apo siç e cilësuan së fundmi, Pashiqi shqipfolës, Edi Rama. Nuk mundet, nëse do të kishit një nanogram ndërgjegje kombëtare, të ishit më pak se qindra e qindra deputetë të Parlamentit Europian, të cilët u mblodhën para dy ditësh dhe dënuan në tempullin e demokracisë evropiane me forcën më të madhe, aktin terrorist, agresionin direkt të Vuçiçit, qeverisë së tij ndaj Republikës së Kosovës. Nuk mundet që ne ta kapërdijmë këtë qëndrim tuajin sot, në një kohë kur në aurën e Parlamentit Europian, deputetët e nderuar nga rajoni dhe jo vetëm, kërkuan vendosjen e sanksioneve ndaj Serbisë.
Kërkuan sanksionimin e Vuçiçit. Dënuan futjen e armëve, kurse ju vini këtu me kurthe skenar, merrni pengje dhe i nxirrni këtu të shpërfytyruar. Këto janë histori turpi. Këto ju turpërojnë më shumë ju! Del ministri i Mbrojtjes, nuk tha Kosova, por tha veriu i Kosovës. E di çfarë flet ky apo jo? Sovraniteti dhe integriteti territorial është një në gjithë territorin. E çfarë dallimi paska Kosova me veriun e Kosovës atëherë? Na thoni pak ju? Si ka mundësi që argati i Vuçiçit në krye tuaj, lëshon komunikatën e parë pa shprehur ngushëllime për shqiptarin që derdhi gjakun në mbrojtje të asaj që ky thotë se është toka e askujt.
E vetmja mundësi është se ishte i marre vesh me Vuçiçin tre ditë më parë në OKB. E vetmja mundësi ishte se ai ishte i njohur me skenarin dhe kishte në tavolinë të gatshme deklaratën, ku të kërkonte sapo të kërciste, thirrjen e konferencës së jashtëzakonshme. Por ato ua dogji në dorë projektin Policia e Kosovës, me guximin, trimërinë dhe profesionalizmin e lartë të saj. Dhe i tregoi Edi Ramës, se ajo është toka e zotërve të Kosovës. I tregoi Edi Ramës se cilatdo qofshin falangat terroriste të Vuçiçit, sado të armatosura të jenë ato, nuk do mund të dominojnë në një metër katror të asaj toke. Cilido flet prej muajsh në mos vitesh për Donbasin? Cili flet për projektin e Putinit në rajon? Askush tjetër përveç Edi Ramës.
Mirëpo është jo naive, por idioteske. Donbasi u krijua nga Putini në kufi me Ukrainën, kurse Kosova në veri, në jug, në lindje, në perëndim, është territor në kuptimin e sigurisë i NATO-s dhe vetëm i NATO-s. Le ta provojë Putini i vogël se si merr përgjigjen e dytë shkatërrimtare për vendin e tij. Se si përballen brenda orësh me një përgjigje të atillë nga NATO, sa nuk mund ta imagjinojë më kurrë. Kujt ia thotë ky Donbas, Donbas, Donbas? Çfarë është ky? Çfarë shqiptari është ky? Kush ka folur për republikë KFOR-i gjer më sot përveç atij? Kush tha se Kosova mund të zhduket përveç atij? Dhe ju detyron ju që në vend që sot të debatojmë për agresionin, për aktin terrorist të Serbisë ndaj Kosovës, nxirrni pengun këtu… Fytyrën tuaj tregoni ju me pengun. Çfarë kujtoni, se na dëmtoni ne? Ne këtu jemi dhe do qëndrojmë në ato gjëra që besojmë”-u shpreh Berisha.
Fraksion.com