Analistët: Putini përfitues nga tensionet në Ballkan
Ekspertët të Ballkanit Perëndimor, shprehin shqetësim nga shtimi i fundit i tensioneve mes Serbisë dhe Kosovës, përfitues nga të cilat është Vladimit Putini. Sipas tyre, në mungesë të besimit mes palëve, vetëm shtimi i trysnisë ndërkombëtare nga Brukseli dhe Uashingtoni mund të sillte një zgjidhje mes Kosovës dhe Serbisë.
Hulumtuesja Ivana Stradner nga Fondacioni për Mbrojtjen e Demokracive me seli në Uashington, thotë se pas sulmit të 24 shtatorit nga një grup i armatosur serb në pjesën veriore të Kosovës, që çoi në shtimin e tensionet mes Kosovës dhe Serbisë, përfiton Rusia, e cila është angazhuar prej kohësh të krijojë një vatër të re krize në Evropë për të shpërqendruar vëmendjen e Perëndimit nga lufta në Ukrainë.
“Vladimir Putini është në kërkim të pikave të dobëta për një kohë të gjatë. Ajo që ndodhi javën e kaluar ishte një përpjekje për të hapur front të ri dhe për të treguar se NATO dhe Bashkimi Evropian janë të fuqishëm vetëm në letër,” thaotë zonja Stradner.
Ajo shton se Presidenti rus nuk mund të depërtojë më në vende si Rumania, apo Polonia për të sfiduar Perëndimin, por Ballkani Perëndimor, vazhdon të jetë shënjestër e Kremlinit.
“Ballkani është vend shumë i përshtatshëm për të rihapur plagë të vjetra dhe ai e di se tensionet me bazë etnike luajnë rol. Natyrisht, kjo nuk do të ishte e mundur pa ndihmën e Beogradit dhe aleatëve të tij në rajon,” tha zonja Stradner.
Ajo që po ndodh ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, përshkallësimi në Bosnje, si dhe trazirat dhe polarizimi politik në Mal të Zi, sipas zonjës Stradner, “janë të gjitha ëndërra të realizuara për Moskën.”
“Putinit nuk i duhen tanke dhe avionë në Ballkan. Ajo që i duhet është të përdorë mjetin e vjetër që Rusia e ka përdorur për një kohë të gjatë – luftën hibride që nis me luftën informative para përdorimit të forcës ushtarake. Beogradi dhe Moska ka kohë që po testojnë vijat e kuqe të Perëndimit,” thotë zonja Stradner.
Sipas ekspertes, Presidenti Vuçiç, i cili ndjek një politikë që synon të balancojë mes Pekinit, e Moskës, nga njera anë dhe Brukselit, Londrës e Uashingtonit, nga ana tjetër, përdor tensionet për qëllime strategjike, përfshirë konsolidimin e pushtetit të tij.
“Presidenti Vuçiç e kupton se i duhet të shkaktojë kriza në rajon, që pastaj pastaj të ulë tensionet dhe ta portretizojë veten si shtyllë stabiliteti, duke krijuar idenë se pa të, nuk ka siguri në rajon… Ai e kupton se duke e shtyrë Ballkanin në teh dhe pastaj duke portetizuar veten si burim stabiliteti, i jep atij përparësi për të negociuar me Perëndimin. Dhe këto gjëra lidhen edhe me dëshirat e Putinit, ngase ai mund të shfaqet si ndërmjetës dhe ta përdorë Ballkanin për negociata me Perëndimin,” thotë ajo.
Zonja Stradner mendon se tensionet në Kosovë dhe rajon do të vazhdojnë.
Analisti tjetër, Dimitar Bechev nga organizata Carnegie në Europë, ndonëse nuk sheh ndonjë përpjekje nga aktorë të jashtëm, si Rusia, për të hapur një front të dytë në Evropë, thotë se ngjarjet e fundit në Kosovë dëshmuan se sa e paqëndrueshme është situata në rajon edhe se Beogradi dhe Prishtina janë mbërthyer në një ngërç, nga i cili mund të dilet vetëm me trysni nga ndërmjetësit ndërkombëtar.
Sipas tij, asnjëra palë nuk ka besim se pala tjetër do të zbatojë detyrimet e dala nga marrëveshjet e dialogut të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.
“Ka ngërç sepse asnjëra palë, as Prishtina e as Beogradi, nuk janë të gatshëm të angazhohen në mënyrë konstruktive. Përpjekja e Kurtit për të vendosur kryetarët e komunave në pjesën veriore, nuk i kontribuoi negociatave diplomatike. As Serbia nuk po rri duarkryq. Kosova thotë që e mbështet asociacionin, nëse Beogradi pajtohet fillimisht me njohjen joformale. Ndërkohë Serbia thotë se nuk do të lëvizë pa përparim në formimin e asociacionit. Nuk është situatë konstruktive dhe kjo kthen vëmendjen tek Brukseli dhe Uashingtoni. Pa trysni nga jashtë këto dy vende nuk duket se do të ecin përpara,” thotë zoti Bechev.
Analisti Bechev nuk pajtohet me kritikët e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, që i konsiderojnë bisedimet një dekadëshe mes Prishtinës dhe Beogradit të dështuara. Por, ai i sheh zhvillimet e fundit si një moment që krijon nevojë për angazhim më urgjent të përkrahësve të dialogut.
“Nuk mendoj se dialogu ka vdekur. Kemi parë bllokada në të kalurën dhe pastaj ringjallje. Ishte i vdekur edhe para disa vitesh kur Thaçi dhe Vuçiç, dukej se po negocionin ndarjen e mundshme dhe Grenell ishte i përfshirë, por pastaj ai u rikthye. Marrëveshja e Brukselit dhe marrëveshjet tjera, që e pasuan janë ende aty. Është një proces shumë i vështirë sepse nuk ka besim mes palëve dhe Bashkimi Evropian nuk po jep motivim për Serbinë dhe Kosovën. Anëtarësimi nuk është në ofertë. Është shumë vështirë të bësh lëshim ndaj diçkaje kaq të madhe – të heqësh dorë nga ajo që si Serbia edhe Kosovsa e konsiderojnë të tyren. Kurti insiston se nuk mund të ketë decentralizim, apo federalizim të Kosovës. Ai gjithashtu beson në sovranitetin kombëtar,” shtoi ai.
Sipas zotit Bechev, situata mbetet e paqartë dhe gjasat janë që do të shohim zhvillime të tjera, që mund të marrin kahje në dy drejtime.
“Ekziston një skenar pozitiv dhe një tjetër negativ. Sipas skenarit pozitiv, do të shohim një shtytje të madhe të bazuar në një kompromis që shtynë përpara marrëveshjen e Brukselit, që krijon asociacionin dhe de facto njohjen. Pak a shumë ajo që parashihet në Planin franko-gjerman. Por, kjo është në teori. Gjasat janë që do të shohim një mori krizash, shpërthime (të dhunës) tjera, ndërhyrjen e Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara për të shtensionuar dhe për t’i harnuar gjërat. Situata është përshkallëzuar, është vështirë të zhbëhet ajo që tashmë është bërë,” thotë zoti Bechev.
Sipas tij, përkundër vështirësive që paraqet përplasja mbi sovranitetin ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, ndërmjetësit në Bruksel – të cilët përballen me fundin e mandatit të tyre – janë të motivuar të gjejnë një zgjidhje.
“Trysnia duhet vazhduar. Duhet të ketë një lloj vizioni të përbashkët, se si duhet vepruar hap pas hapi, se si të krijohet asociacioni… E mira me këta dy udhëheqës është që nëse bien dakord mes tyre, në planin e brendshëm nuk do të ketë bllokada,” deklaroi ai.
Sipas tij, dy udhëheqësit – Vuçiç dhe Kurti – nëse kanë vullnet politik janë në pozita të fuqishme brenda shteteve të tyre për arritur kompromis./VOA
Fraksion.com