Rama: Rishikim tërësor i procedurave administrative të biznesit
Kryeministri Edi Rama zhvilloi sot një diskutim me sipërmarrjen mbi nismën e re të qeverisë për një rishikim tërësor të procedurave administrative të biznesit dhe shkurtim të hallkave burokratike e përmirësim të mëtejshëm të klimës së biznesit.
Në fjalën e tij, Rama theksoi se me këtë takim hapet një proces diskutimi dhe ndërveprimi me sipërmarrjen për të identifikuar bashkërisht të gjitha ato hallka burokratike dhe ato ngarkesa anë procedurat administrative që mund të eliminohen.
“Kjo synon ta përmirësojë bashkërisht më tej klimën e biznesit. Besoj se ju të gjithë e keni parë se para pak ditës Shqipëria mori një vlerësim të ri të perspektivës nga agjencia prestigjioze Standard & Poor’s që bën vlerësimin e të gjitha vendeve dhe përcakton nivelin e tyre në aspektin e ecurisë edhe të perspektivës ekonomike”, tha Rama.
Kryeministri theksoi se për herë të parë Shqipëria ka kaluar nga perspektivë e qëndrueshme në perspektivë pozitive.
“Ky është një sinjal shumë kuptimplotë, shumë domethënës për çfarë kemi bërë deri më sot dhe inkurajues për çfarë mund të bëjmë më tutje”, tha ai.
Duke iu drejtuar sipërmarrësve, Kryeministri theksoi se “një element i rëndësishëm ku ka ardhur koha që ne të rifokusohemi bashkërisht është bërja e një analize të detajuar”.
“Ne kemi nisur të bëjmë një analizë brenda për brenda institucioneve dhe strukturave të qeverisë mbi të gjitha procedurat dhe kemi nisur ta bëjmë duke e parë me sy kritik çdo procedurë për të kuptuar se çfarë mund të lehtësohet nga pikëpamja e asaj që është e shkruar. Por ky do të ishte në ushtrim i mangët nëse nuk marrim prej jush, bazuar në eksperiencën tuaj të përditshme, ndërveprimet tuaja me institucionet, këndvështrimin mbi si ato procedura të shkruara në letër për të pasur një licencë, leje apo dokument të caktuar të veprimtarisë suaj, përkthehen në realitetin e përditshëm dhe cilat prej tyre faktikisht më shumë se sa ndihmojnë interesin e shtetit, e pengojnë atë. Dhe po ashtu edhe me klimën e biznesit, e rëndojnë atë”, shtoi Rama.
Fraksion.com