AktualitetTë fundit

Çështja Gërdeci, Gjykata miraton listën e dëshmitarëve

Në Tiranë, Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të organizuar miratoi sot listën e dëshmitarëve të cilët do të pyeten në procesin kundër ish ministrit të Mbrojtjes Fatmir Mediu, për rastin e shpërthimit të fabrikës së demontimit të municioneve në Gërdec, në vitin 2008, ku mbetën të vrarë 26 persona, ndërsa mbi 250 të tjerë mbetën të plagosur.

Gjykata miratoi të plotë listën e paraqitur nga Prokuroria e Posaçme, ndërsa rrëzoi pjesën dërrmuese të emrave në listën e paraqitur nga mbrojtja e zotit Mediu. Gjykata nuk vlerësoi të vlefshme thirrjen e një numri të lartë politikanësh vendas e të huaj, apo ish qeveritar e ish ministra të mbrojtjes, ndërsa lidhur me ekspertët të cilët kanë kryer vlerësimin u shpreh se për ta, do të vendoste në një moment të dytë, në varësi të ecurisë së procesit.

Vendimmarrja e Gjykatës u kritikua nga avokatët mbrojtës, të ish ministrit të cilët floën për një standart të dyfishtë, “ku nga njëra anë pranohen qorrazi dëshmitarët e Prokurorisë, ndërsa refuzohen ata të mbrojtjes”, deklaroi pas seancës avokati Ardian Visha, duke shtuar se “gjykata është e detyruar të shprehet me pranim apo refuzim, jo me rezervim të së drejtës për tu shprehur. Kjo është dicka të cilën ligji nuk ja lejon”, tha ai referuar qëndrimit për ekspertët.

Në listën e miratuar nga Gjykata, prej 72 personash, për t’u thirrur për të dhënë dëshminë e tyre, një pjesë e madhe janë familjarë të viktimave të shpërthimit të Gërdecit apo dhë të lënduar. Ndërsa një pjesë tjetër, janë ish zyrtarë, ish ushtarakë apo dhe ish sipërmarrës e drejtuesë të fabrikës në Gërdec, të cilët janë dënuar në procesin e zhvilluar shumë vite më parë. Zoti Shkëlzen Berisha, i biri i kryeministrit Sali Berisha, është gjithashtu pjesë e listës, si dëshmitar i kërkuar nga Prokuroria e Posaçme, së bashku me ish ministrin e Drejtësisë Aldo Bumçi. Ndonëse emri i zotit Shkëlzen Berisha, u lakua shpesh pas shpërthimit, për lidhje të dyshuara me aferën e demontimit të municioneve apo dhe të shitjes së fishekëve një kompanie amerikane, djali i ish kryeministrit nuk u mor asnjëherë në pyetje gjatë hetimeve për shpërthimin e Gërdecit dhe as nuk u thirr për të dëshmuar në proces.

Procesi ndaj zotit Mediu mori shkas nga një kallzim i familjes Durda e cila humbi në atë kohë djalin nga shpërthimi. Ish ministri akuzohet për “Shpërdorim të detyrës” kryer në bashkëpunim, dhe “Shpërdorim të detyrës” në bashkëpunim me subjekt ushtarak-kuadër komandues. Të njejtat akuza të cilat ishin ngritën ndaj tij në vitin 2009 edhe nga Prokuroria e Përgjithshme, por për të cilat zoti Mediu nuk u gjykua asnjëherë, pasi në verën e atij viti rifitoi mandatin e deputetit.

Paralelisht me procesin gjyqësor që ka nisur, Prokuroria e Posaçme ka rregjistruar dhe një tjetër procedim penal për “Korrupsion pasiv të funksionarëve të lartë shtetërorë apo të të zgjedhurve vendore” dhe “Pastrim i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, lidhur me procedurat e ndjekura në atë kohë nga Ministria e Mbrojtjes, për shitjen e municioneve kompanive private. Një hetim për të cilin nuk ka megjithatë asnjë person të akuzuar.

 

Fraksion.com