Arrestohet Milan Radoiçiç
Ministria e Punëve të Brendshme të Serbisë tha të martën se ka arrestuar ish nënkryetarin e Listës Serbe, Milan Radoiçiçin, disa ditë pasi mori përsipër sulmin e 24 shtatorit mbi policinë e Kosovës në fshatin Banjskë në veri.
Në një njoftim të ministrisë së Brendshme serbe thuhet se atij i është caktuar masa e paraburgimit prej 48 orësh dhe ai i është dorëzuar Prokurorisë së Lartë në Beograd. Në njoftim thuhet se janë kryer bastisje në pronat e tij, por nuk jepen më shumë hollësi.
Prokuroria e Lartë në Beograd tha në një njoftim se Milan Radoiçiç është marrë në pyetje nën dyshimin se ai dhe disa persona tani për tani të panjohur, kanë kryer veprat penale të bashkimit me qëllim të kryerjes së veprave penale, prodhimit, mbajtjes dhe trafikimit të armëve të zjarrit dhe lëndëve shpërthyese dhe vepra të rënda kundër sigurisë së përgjithshme.
Pas seancës, gjatë së cilës i dyshuari i ka mohuar veprat me të cilat ngarkohet, thuhet në njoftim, prokuroria kërkoi masën e paraburgimit për shkak të rrezikut të arratisjes së të dyshuarit. Në urdhrin për kryerjen e hetimeve janë përfshirë disa persona, tani për tani, të panjohur, të cilët akuzohen për veprën penale të veprave të rënda kundër Sigurisë së Përgjithshme, thuhet në njoftim.
Sipas urdhrit për hetime, thuhet më tej në komunikatën e prokurorisë serbe, Milan Radoiçiç akuzohet se ka blerë armë, municione dhe mjete shpërthyese të fuqisë së madhe shkatërruese në Tuzlla të Bosnjës dhe Hercegovinës nga janari i viti 2023 deri më 24 shtator, të cilat i janë dorëzuar në territorin e qytetit të Beogradit, të cilat më pas i transportonte dhe ruante në vende të pacaktuara në territorin e Kosovës, duke i fshehur në ndërtesa të braktisura dhe në pyje. Si udhëheqës i një grupi me disa persona të panjohur, me aksionin e përbashkët më 24 shtator, ka shkaktuar rrezik për jetën e njerëzve në qytetin e Banjskës në Kosovë, thuhet në njoftimin e prokurorisë serbe.
Më 29 shtator ai mori përgjegjësinë për përgatitjen dhe udhëheqjen e grupit të armatosur që sulmoi policinë e Kosovës, duke vrarë një oficer policie. Tre pjesëtarë të grupit të tij mbetën të vrarë pas përleshjeve që zgjatën pothuajse tërë ditën e 24 shtatorit.
Pronat e Milan Radoiçicit u bastisën të premten e kaluar nga policia e Kosovës, ndërsa Prokuroria e Posaçme e Kosovës tha se është ende në proces të mbledhjes së informatave dhe dëshmive në lidhje me sulmin dhe ende nuk ka ngritur ndonjë akuzë ndaj pjesëtarëve të grupit të armatosur, ndonëse autoritetet kanë thënë se do të kërkojnë dorëzimin e tyre në Kosovë për t’u përballur me drejtësinë.
Një gjykatë në Prishtinë u caktoi javën e kaluar masën e paraburgimit prej 30 ditësh tre personave të arrestuar në lidhje me sulmin, nën dyshimet për përfshirje në “vepra të rënda kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës dhe kryerjen e veprave terroriste”.
Pjesëtarë të Policisë së Kosovës, ushtarë amerikanë që shërbejnë të KFOR-it dhe të policisë së EULEX-it vazhduan patrullimet dhe hetimet edhe të martën në një zonë të fshatit Banjskë. Pjesë e patrullimit ishte edhe një ekip mjeko-ligjor që kërkonte prova lidhur me sulmin e 24 shtatorit.
Ekipi patrullonte sot një shteg pranë lumit Banjskë që besohet se është shfrytëzuar nga personat e armatosur për t’u arratisur në Serbi pas përleshjes.
Sulmi u cilësua si terrorist nga autoritetet në Prishtinë, Bashkimi Evropian dhe diplomatët perëndimorë të cilët kërkuan vënien e sulmuesve para drejtësisë. Prishtina akuzoi Beogradin për mbështetjen dhe pajisjen e grupit që kreu sulmin.
Milan Radoiçiç, i cili është i sanksionuar nga Shtetet e Bashkuara që nga dhjetori i vitit 2021, tha të premten në një deklaratë të transmetuar nga avokati i tij se “nuk e ka njoftuar askënd nga strukturat qeveritare të Serbisë, strukturat politike lokale nga veriu i Kosovës dhe se nuk ka marrë asnjë ndihmë prej tyre”, për sulmin.
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç i cili mohoi lidhjet me grupin e armatosur, tha se organet përgjegjëse serbe do të ndërmarrin veprime ndaj Milan Radoiçiçit dhe do të hetojnë ngjarjet e së dielës, duke akuzuar Prishtinën zyrtare për nxitje të dhunës në veri.
Sulmi i 24 shtatorit është ngjarja më e rëndë që nga shpallja e pavarësisë së Kosovës dhe ka nxitur shqetësime për qëndrueshmërinë në rajon.
Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian gjatë fundjavës shprehën shqetësimin për atë që e cilësuan si “një grumbullim të shtuar ushtarak serb në kufi me Kosovën”, ndërsa i kërkuan Beogradit që urgjentisht të tërheqë trupat ushtarake.
Beogradi mohoi të ketë ngritur shkallën e gatishmërisë së trupave, por pohoi se e ka ulur praninë e tyre në zonën përreth kufirit të Kosovës.
Fraksion.com
F