AktualitetPolitikëTë fundit

Arrestimi i policit që shiste ushqime të skaduara në Konispol, reagon Balla: Lajm i mirë!

Ministri i Brendshëm Taulant Balla përshëndeti operacionin e sotëm në jug të vendit, ku u godit një rast i tregtimit të produkteve ushqimore të skaduara, brenda perimetrit të sigurisë së një shkolle në Konispol.

Ministri Balla, përmes një postimi në rrjetet sociale krahas pamjeve të operacionit policor, e vuri theksin tek vijimi i këtyre goditjeve, në funksion të rritjes së sigurisë në shkolla.

‘Policia e Sarandës njoftoi se gjatë kontrolleve, në një subjekt tregtar që ushtronte aktivitetin brenda perimetrit të sigurisë së një shkolle të mesme, në Konispol, kanë konstatuar se pronari i subjektit, i cili u ndalua, shiste mallra të kontrabanduara, një pjesë e madhe e të cilave përbënin rrezik për shëndetin e nxënësve dhe të qytetarëve të tjerë, sepse iu kishte kaluar afati i konsumimit.’

Pronari i një dyqani pranë një shkolle në Konispol u arrestua nga policia pasi nga hetimet rezultoi se tregtonte produkte të skaduara, të cilat ishin të kontrabanduara dhe shiteshin pa faturë.

Ngjarja:

Pronari, Neim Arapi 56-vjeçar është dhe përgjegjës i Policisë Bashkiake Konispol, dhe duke përdorur detyrën, ka shmangur kontrollet  në dyqan.

Arrestimi i tij u krye në zbatim të planit të masave të hartuar në funksion të Paketës së Sigurisë në shkolla, kanë ushtruar kontrolle në afërsi të shkollave, me qëllim garantimin e rendit dhe sigurisë, si dhe për parandalimin evidentimin dhe goditjen e çdo paligjshmërie.

Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan produkte të ndryshme ushqimore të kontrabanduara dhe të skaduara. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Sarandë, për veprime të mëtejshme.

 

Fraksion.com