AktualitetNATO/BETë fundit

Takim historik: Ministrat e Jashtëm të BE në Kiev

Ministrat e Jashtëm të BE kanë udhëtuar në Kiev në shenjë mbështetjeje për Ukrainën. I ngarkuari i BE për Politikën e Jashtme, Josep Borrell flet për një “takim historik”.

Ministrat e Jashtëm të BE biseodojnë të hënën (02.10.) në një takim të posaçëm në Kiev. I ngarkuari i BE për Politikën e Jashtme, Josep Borrell është shprehur për një “takim historik” dhe se bëhet fjalë për të shprehur “solidaritetin dhe mbështetjen tonë për popullin ukrainas”. Ky është takimi i parë i 27 ministrave të Jashtëm të BE që zhvillohet jashtë BE, që bën të qartë rëndësinë e takimit, sipas Borrell. Që nga fillimi i sulmit rus në Ukrainë në shkurt 2022 nuk ka pasur ndonjëherë një takim të përmasave të tilla në Kiev.

Si një nga temat e takimit, Borrell ka përmendur propozimin për mbështetjen financiare afatgjatë të Ukrainës, që me fonde nga BE të mbështetet edhe furnizimi me avionë luftarakë modernë dhe raketa. Për këtë Borrell ka thënë se synon të mobilizojë nga viti 2024 deri në 2027, 5 miliardë euro në vit. Por nuk pritet marrja e një vendimi nga takimi në Kiev. Në takim të tilla informale bëhet fjalë më shumë për diskutime politike. Në takimin e ministrave të Jashtëm të BE pritet të bëhet fjalë edhe për perspektivën e anëtarësimit të Ukrainës në BE. Ukraina është zyrtarisht kandidate për anëtarësim nga qershori 2022. Por për fillimin e bisedimeve duhet që të vendosin të 27 vendet anëtare njëzëri.

Ministri i Jashtëm i Ukrainës, Dmytro Kuleba u shpreh, se mesazhi i takimit është që të BE zgjerohet me Ukrainën dhe për këtë jemi mirënjohës. “Takimi historik” zhvillohet jashtë kufijve të BE por brenda kufijve të ardhshëm të saj. Për ministren e Jashtme gjermane, Annalena Baerbock kjjo është vizita e dytë në Kiev brenda pak javësh. Për arsye sigurie udhëtimi nuk është bërë publik më parë.

 

Fraksion.com