Merret në mbrojtje ish-prokurorja e Lushnjës, Merita Selimi: Laert Haxhiu donte ta eliminonte së bashku me Doloreza Musabelliun
Pas prokurores së SPAK, Doloreza Musabelliu, është marrë në mbrojtje edhe ish-prokurorja e Lushnjës, Merita Selimi. Të dyja prokuroret, bashkë me avokatin Adriatik Doga ishin në shënjestrën e Laert Haxhisë për t’u eliminuar. Selimi është marrë në mbrojtje nga Policia e Lushnjës dhe do të shoqërohet kudo ku do jetë në lëvizje. Për Selimin ka marrë vendim mbrojtje pak më parë edhe Këshilli i Lartë i Prokurorisë.
Dy prokuroret u morën në mbrotje pas dëshmisë së të penduarit të drejtësisë, i cili ka rrëfyer planin e Laert Haxhiut për t’i vrarë. Sipas bashkëpuntorit të drejtësisë të dyja prokuroret janë ndjekur për disa muaj, ku përgatitja e Laert Haxhiut dhe anëtarëve të grupit të tij, ishte vrasja e tyre ose të familjarëve.
Merita Selimi hetoi Haxhiun, Orgest Bilbilin dhe Anterio Kaloshin për masakrën e vitit 2017, ku mbetën të vrarë Zamir Latifi dhe Jurgen Hoxha, ndërsa u plagosën Bujar Turku dhe Marjus Xhepexhiu. 2 vite hetime dhe më pas Selimi shpalli moskompetencë për dosjen, duke ia kaluar SPAK dhe prokurores Doloreza Musabelliu, ku aktualisht ka dënuar me burgim të përjetshëm Orgest Bilbilin dhe Anterio Kaloshin, ndërsa ka ende në fazë gjykimi Laert Haxhiun, i paekstraduar akoma nga Greqia.
Merita Selimi në muajin Korrik 2023 u shkarkua nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit (Vetting) me dy votat e Brunilda Bekteshit, Etleda Çiftja. Një votë “pro” kalimit të saj të procesit të “Vettingut” ishte ajo e Lulzim Hamitaj, por nuk mjaftoi.
Fraksion.com