Gjermani: Numri i të djathtëve i njëjtë, AfD po forcohet
Hulumtimi i opinionit publik tregon qartë se shoqëria gjermane është në një gjendje shqetësimi të madh: 81 për qind e qytetarëve janë aktualisht të shqetësuar për të ardhmen e tyre. Vetëm 14 për qind kanë besim se gjithçka do të jetë mirë. Vlera të krahasueshme janë matur vetëm ndërmjet viteve 2003 dhe 2005 gjatë fazës së papunësisë së lartë. Ishte gjatë mandatit të dytë të kancelarit Gerhard Schröder (SPD), kur koalicioni i socialdemokratëve dhe të gjelbërve ishte në pushtet.
Këto janë rezultatet e sondazhit shtesë të opinionit publik Deutschlandtrend të kryer nga Infratest dimap me kërkesë të WDR – ku shikohen më hollësisht edhe qëndrimet pse po rritet mbështetja e Alternativës për Gjermaninë (AfD).
Numri i djathtistëve i njëjti si në vitin 2016
Në Gjermani sipas sondazheve nuk është shtuar numri i djathtistëve ekstremistë dhe djathtistëve, ai ka mbetur saktësisht në nivelin e vitit 2016.
Për të matur qëndrimet personale politike, të anketuarve iu drejtuan gjashtë pyetje standarde të njohura shkencërisht, për shembull, për qëndrimin ndaj diktaturës, nacionalsocializmit ose ksenofobisë. Pyetjet dhe vlerësimet janë identike me vitin 2016.
Sipas këtij studimi, 22 për qind e të anketuarve mund të klasifikohen si të djathtë – 8 për qind si ekstremistë të krahut të djathtë (9 për qind në 2016), dhe 14 për qind të tjerë si të djathtë ekstremë (13 për qind në 2016).
Nga ana tjetër, 55 për qind e të anketuarve kanë hedhur poshtë plotësisht këto ide, që është 3 për qind më shumë se në vitin 2016.
AfD mbledh shumë djathtistë
Edhe pse madhësia e krahut të djathtë në Gjermani nuk ka ndryshuar, AfD mbledh njerëzit me pikëpamje të tilla shumë më tepër se sa më parë. Në mesin e mbështetësve të kësaj partie, 27 për qind mund të klasifikohen si ekstremistë të djathtë dhe 25 për qind të tjerë si ekstremistë të djathtë.
Kjo është një rritje e ndjeshme krahasuar me vitin 2016. Numri i mbështetësve të AfD-së në Gjermani u rrit nga 12 në 22 për qind në të njëjtën periudhë – sipas shifrave të sondazhit të rregullt të Deutschlandtrend.
AfD mbledh tani rreth vete një numër të madh të elektoratin me botëkuptime të djathta.
Perceptimet e zgjedhësve të AfD
Mbështetësit e AfD kanë një perceptim krejtësisht të ndryshëm për qëllimet politike të partisë sesa shumica e popullsisë.
Pothuajse tre të katërtat e të gjithë qytetarëve të anketuar për të drejtën e votës në Gjermani e konsiderojnë AfD-në një parti ekstremiste të krahut të djathtë. Por zgjedhësit e AfD mendojnë ndryshe – vetëm 18 për qind e elektoratit të AfD-së e konsideron këtë parti si ekstremiste.
Rreth 80 për qind e mbështetësve të AfD thonë se “atyre nuk u intereson që AfD konsiderohet zyrtarisht pjesërisht ekstremiste e krahut të djathtë, për sa kohë që merret me çështjet e duhura”.
Ndaj AfD është aktualisht e vetmja parti që shfrytëzon maksimalisht potencialin e saj të votuesve. Sipas sondazheve të fundit, 24 për qind e gjermanëve në thelb mund të imagjinojnë të votojnë për AfD në të ardhmen. Sipas sondazheve të Deutschlandtrend, aktualisht 22 për qind e gjermanëve me të drejtë vote thonë se po të mbaheshin zgjedhjet tani, do të votonin për AfD.
Sa për krahasim: Partitë e Unionit CDU/CSU kanë potencialin më të madh të votuesve potencialë – 52 për qind. Por vetëm 28 për qind e tyre do të votonin këtë parti po të mbaheshin zgjedhjet tani.
Interesante është po ashtu që më shumë se gjysma e mbështetësve të AfD (55 për qind) mund të imagjinojnë se do të votojnë për një parti tjetër në zgjedhjet për Bundestag në të ardhmen. Kjo përqindje është pak më e lartë në Perëndim sesa në Lindje. Lidhja me AfD-në është më e fortë atje.
Ky studim tregon edhe një herë dallimet strukturore në publikun e Gjermanisë Lindore dhe Perëndimore. Nuk është vetëm sjellja e votimit që ndryshon. Sipas hulumtimit, AfD është aktualisht subjekti më i fortë në disa lande lindore. Rrjedhimisht, pikëpamjet e krahut të djathtë janë më të përhapura sesa në Perëndim. Dymbëdhjetë për qind e të anketuarve në Lindje mund të klasifikohen si ekstremistë të krahut të djathtë (shtatë në Perëndim), dhe 20 për qind të tjerë si dukshëm të krahut të djathtë (13 në Perëndim).
Politika e azilit dhe liria e shprehjes
Motivi vendimtar i votuesve të AfD-së është shqetësimi dhe pakënaqësia me zhvillimet kryesore sociale, veçanërisht imigrimi i shtuar i refugjatëve dhe azilkërkuesve.
Një qëndrim kritik ndaj kësaj teme mbizotëron edhe në popullatën gjermane në tërësi, por ai shprehet veçanërisht si një motiv politik qendror në mesin e mbështetësve të AfD.
Një total prej 67 për qind e të gjithë qytetarëve të anketuar me të drejtë vote nuk janë aktualisht në favor të pranimit të emigrantëve – në mesin e votuesve të AfD kjo përqindje shkon deri në 95 për qind.
Pa marrë parasysh situatën aktuale, 48 për qind e të gjithë të anketuarve ndajnë shqetësimin se “shumë të huaj po vijnë në Gjermani”. Ndërsa mes mbështetësve të AfD-së kjo është 85 për qind.
Dy të tretat e të gjithë të anketuarve (67 për qind) kanë perceptimin se një person “është i izoluar sot nëse shpreh mendimin e tij për tema të caktuara”. Midis mbështetësve të AfD-së kjo shifër shkon deri në 96 për qind.
Situata është e ngjashme me frikën se krimi “do të rritet ndjeshëm në të ardhmen”. Këtë shqetësim e shprehin 65 për qind e të gjithë të anketuarve dhe shumë më tepër, 96 për qind e atyre që duan të votojnë për AfD-në.
AfD dhe çështjet sociale
Hulumtimet tregojnë: Shkaku i fuqisë së AfD-së nuk është, siç supozohet shpesh, përhapja e pikëpamjeve të krahut të djathtë apo ekstremist të krahut të djathtë.
Për më tepër, analiza tregon qartë dy zhvillime: nga njëra anë, AfD po mbledh gjithnjë e më shumë rreth vetes mjedisin tashmë ekzistues të krahut të djathtë. Por: gjysma e elektoratit të AfD-së nuk mund të klasifikohet si i djathtë. Kjo pjesë e mbështetësve të AfD-së mbetet e hapur për partitë e tjera politike.
Por edhe më e rëndësishme është që AfD po merret me sukses me çështje që shqetësojnë shumicë e madhe të popullsisë – dhe për të cilat shumë njerëz me sa duket gjejnë shumë pak mirëkuptim në partitë e tjera.
Autori i tekstit është Jörg Schönenborn. Që nga viti 2019, ai është drejtor i programit WDR, shtëpisë më të madhe mediatike në kuadër të ARD. Schönenborn analizon rregullisht rezultatet e zgjedhjeve gjermane dhe drejton një program përkatës në Programin e Parë të televizionit gjerman./DW
Fraksion.com