“E kemi ndjekur Doloreza Musabelli”, Artan Tafani zbërthen planin e Laert Haxhiut për “të hequr qafe” prokuroren e SPAK
Një plan tjetër kriminal po thurej nga Laert Haxhiu dhe banda e tij dhe kësaj radhe në shënjestër ishin njerëz të drejtësisë, konkretisht një prokurore e SPAK, një prokuror i Lushnjës dhe një avokate. Një plan që tregon guximin për të ngritur dorën dhe mungesën e frikës nga banda e Haxhiut dhe ndaj shtetit.
Dëshmia e Artan Tafanit, i penduar tashmë i drejtësisë ka arritur të zbardhë dhe atentatin që po planifikohej nga prokurores së SPAK Doloreza Musabelli, sipas burimeve zyrtare të Prokurorisë së Elbasanit.
Tafani, pjesë e bandës së Laert Haxhiut ka deklaruar se po thurej plani për ‘të hequr qafe’ Musabelliun si dhe prokurorin e Lushnjës Adriatik Doga dhe avokaten Merita Selimi.
“I kemi ndjekur. Laerti ka dashur të sulmojë Doloreza Musabelli, pasi ishte prokurorja e çështjes së tij në SPAK. Kjo prokurore kishte dënuar me burgim të përjetshëm shokun e Laertit Orgest Bilbilin dhe Anterio Kaloshin. I kemi mbajtur nën vëzhgim dhe familjet e tyre. Laerti, pretendonte se nuk kishte lidhje me ngjarjen dhe se kjo prokurore po i bënte gropën. Atij ju fiksua që ta vriste prokuroren ose ndonjë njeri të afërm të familjes.
I kemi bërë foto prokurores, burrit avokat dhe fëmijëve. Laerti tha se fotot e fëmijëve duhet më parë t’ia nisnim burrit të prokurores për të parë se çfarë ndikimi dhe reagimi do sillte”, ka deklaruar i penduari Tafani.
Ndërkohë pas dëshmisë së tij, mbrëmjen e kaluar janë kërkuar masa shtesë për mbrojtjen e prokurores Musabelli dhe pritet reagim nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë.
Selimi ishte prokurorja që hetoi Laert Haxhiun, Orgest Bilbilin dhe Anterio Kaloshin për masakrën e vitit 2017 në Lushnjë, ku mbeti i vrarë Zamir Latifi dhe Jurgen Hoxha, ndërsa u plagosën Bujar Turku dhe Marjus Xhepexhiu.
Pas dy viteve hetime, Selimi shpalli moskompetencën duke sjellë dosjen ndaj tre të pandehurve në SPAK. Prokurorja e Lushnjës në muajin Korrik 2023 u shkarkua nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit (Vetting).
Çështjen e mori Doloreza Musabelli, prokurore në SPAK, ku aktualisht ka dënuar me burgim të përjetshëm Orgest Bilbilin dhe Anterio Kaloshin, ndërsa ka ende në fazë gjykimi Laert Haxhiun.
Fraksion.com