David Beckham ka qenë në “depresion të thellë” pas kartonit të kuq në Kupën e Botës
Victoria Beckham ka thënë se presioni që e ka përjetuar David Beckham pasi i është dhënë një karton i kuq në ndeshjen për Kupën e Botës më 1998, e ka përballur me “depresion të thellë”.
Në një serial të ri dokumentar të platformës Netflix, me emrin “Beckham” – që do të publikohet të mërkurën – flitet për karrierën e yllit të futbollit nga perspektiva e shumë personave të tij të afërt.
Në episodin e dytë të dokumentarit, Viktoria dhe David diskutojnë për abuzimin që e kanë përjetuar në fund të viteve ’90, pasi Davidi është përjashtuar prej një loje kundër Argjentinës.
Anglia e ka humbur lojën kundër Argjentinës pas një përleshjeje me Diego Simeonen.
Viktoria ka thënë se Davidi ka qenë “absolutisht i thyer, ka qenë copë-copë”.
“Ai ka qenë në depresion, në depresion të thellë. Unë e kam vuajtur shumë, ende dua t’i vras ata njerëz”.
Duke diskutuar për abuzimin që e ka rrethuar, David është lutur “të ekzistojë një pilulë që mund t’i zhdukë disa kujtime”.
“E kam bërë një gabim të madh. Ma ka ndryshuar jetën. Pyetjet pasi jam kthyer ‘Si mund ta tradhtosh vendin tënd? ‘Je për turp’”.
Ai ka thënë se është abuzuar çdo ditë atë periudhë.
“Të ecësh nëpër rrugë dhe të shohësh njerëzit duke të shikuar ndryshe, duke pështyrë drejt teje, duke të abuzuar, duke të thënë fjalë në fytyrë, është e vështirë. Nuk kam ngrënë, nuk kam fjetur. Kam qenë shumë keq. Nuk e dija çfarë të bëja”.
“Shefi (Alex Ferguson) më pati telefonuar. Më ka thënë ‘David, si je?’ E di që jam bërë shumë emocional. Më ka thënë ‘si je, bir?’ I kam thënë ‘jo mirë shef’. Më ka thënë ‘mirë, mos u shqetëso për këtë punë’”.
“Ka sjell shumë vëmendje që nuk e kam dëshiruar kurrë, sidomos për prindërit e mi, dhe nuk ia fal vetes këtë gjë. Gjëja më e vështirë ka qenë ajo që ka ndodhur, sepse unë e kam bërë gabimin”.
Përgjatë episodit, Viktoria ka thënë se është e vështirë të flasësh edhe tani për kërcënimet me jetë që çifti i ka përjetuar atë kohë.
Ata janë bërë prindër për herë të parë në mars të vitit 1999 dhe kanë katër fëmijë: Brooklyn, Romeo, Cruz dhe Harper.
Fraksion.com