AktualitetTë fundit

Sekuestrohen në Muriqan mbi 81 mijë euro të padeklaruara, pranga pronarit dhe shoferit të autobusit

Policia Kufitare e Muriqanit ka goditur një rast të kalimit të parave të dyshuara me burim krimin, të padeklaruara në kufi.

Sipas policisë, gjatë operacionit të koduar “Directions” u sekuestruan 82 010 euro dhe u arrestuan 2 persona, si dhe u proceduan dy të tjerë.

Policia sqaron se operacioni Operacioni, rezultat i kontrolleve të imtësishme në një autobus ku në muajin shkurt të këtij viti, Policia gjeti 48 100 euro të cilat një 35-vjeçar i arrestuar, tentonte t’i nxirrte nga vendi ynë, pa i deklaruar.

“Krahas angazhimit maksimal për t’iu ofruar shërbim korrekt, me etikë dhe të shpejtë, qytetarëve në hyrje/dalje, shërbimet e Policisë Kufitare të Muriqanit vijojnë intensivisht punën, për konstatimin dhe goditjen e krimeve kufitare. Në këtë kuadër, në bashkëpunim me shërbimet e Policisë së Shkodrës, u finalizua operacioni policor i koduar “Directions””, njofton Policia.

“Si rezultat i operacionit u vunë në pranga shtetasit R. A., 36 vjeç, banues në Shijak dhe S. F., 54 vjeç, banues në Elbasan, si dhe u referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasit A. C., 53 vjeç, banues në Elbasan dhe K. M., 56 vjeç, banues në Mamurras”, bën të ditur Policia.

“Shërbimet e Policisë Kufitare, në hyrje të vendit, ushtruan kontrolle të imtësishme, në vijë të dytë, në autobusin në pronësi të 36-vjeçarit (me drejtues shtetasin S. F. dhe me drejtues alternativë shtetasit A. C. dhe K. M.). Nga kontrollet, në një çantë të fshehur në kroskotin e autobusit, u gjetën 82 010 euro, të dyshuara të përfituara nga veprimtari kriminale, të cilat do të futeshin në vendin tonë, pa u deklaruar”, sqaron Policia.

“Paratë u sekuestruan me cilësinë e provës materiale. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Mosdeklarimi në kufi i të hollave dhe i sendeve me vlerë” dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale””, përfundon njoftimi.

 

Fraksion.com