Rama në Berlin: Shqipëria, vlerë neto në BE sa i takon paqes dhe sigurisë
Kryeministri Edi Rama shprehu sot bindjen se Shqipëria mund t’i sjellë Bashkimit Europian vlerë neto sa i takon paqes dhe sigurisë.
Kryeministri Edi Rama ishte i ftuar sot në “Berlin Global Dialogue”, Gjermani, një forum i ri ndërkombëtar që bashkon liderët nga politika dhe biznesi për të gjetur zgjidhje të përbashkëta për një ekonomi globale në tranzicion.
Rama ishte pjesë e diskutimit me temë “Roli Gjeopolitik i Ballkanit Perëndimor”, – një bashkëbisedim i fokusuar në rolin që mund të luajë Ballkani Perëndimor në forcimin e së ardhmes gjeopolitike dhe ekonomike të Evropës.
I pyetur mbi rolin e Shqipërisë në këtë drejtim, Rama tha se “jemi shumë të vegjël për të bërë dallimin, por jemi mjaftueshëm konsistent në shumë mënyra dhe mendoj se do të jetë një vlerë neto sa i takon paqes dhe sigurisë”.
Rama tha po ashtu se nuk pret një datë konkrete për sa i takon procesit të anëtarësimit në BE.
“BE ka problemet e veta që ne i njohim mjaft mirë. Një proces shumë të vështirë vendimmarrjeje, ndikim shumë i madh i politikave vendase mbi shtetet anëtare që hera herës përcakton edhe qëndrimin e Unionit, sepse për çdo hap të hedhur duhet konsensus”, tha ai.
Kryeministri Rama ndodhej në tryezë së bashku me Katherina Reiche, një figurë e spikatur e politikës gjermane, aktualisht shefe ekzekutive e ofruesit më të madh rajonal të infrastrukturës dhe të energjisë.
Fraksion.com