Life StyleTë fundit

Divorc me mllef: A është rikthyer epoka e ndarjeve të trazuara?

“Dhe ata jetuan të lumtur përgjithmonë”-është një mit i lindur qindra vjet më parë, kur jetëgjatësia mesatare ishte më pak se 40 vjet dhe njerëzit kishin pak mundësi për të zgjedhur, për të lëvizur, për të ndryshuar. Është e qartë se ideja e një dashurie që zgjat me kalimin e kohës është e këndshme dhe qetësuese, por – siç e tregojnë faktet – nuk është më aq aktuale.

Disa vite më parë, psikoterapistja Katherine Woodward Thomas, duke ndjerë se divorci tashmë ishte rritur në masë, foli për përfitimet e ndarjes “të butë”. Një nga librat e saj quhet “Conscious uncoupling”(Ndarja e ndërgjegjshme), si shprehja e përdorur nga Gwyneth Paltrow kur ajo, në blogun e saj në vitin 2014, foli për mënyrën se si po e trajtonte ndarjen me Chris Martin. Po, ata ishin drejtuesit VIP të një lloj “lëvizjeje” për divorc të përgjegjshëm dhe të arsyeshëm. Dhe, për shumë vite, ky model ka qenë ajo që çiftet e famshme kanë kërkuar dhe aspiruar.

Por diçka duhet të ketë shkuar keq kohët e fundit. Duket se ka pasur një rikthim në të shkuarën, kur këpucët dhe rrobat e ish-it hidheshin nga ballkoni dhe njerëzit kërkonin mënyrën më të mirë për ta shkatërruar, qoftë edhe duke i kthyer fëmijët kundër tij.

Trendi i ri ‘u inaugurua’ padyshim nga Amber Heard dhe Johnny Depp, me betejën e tyre ligjore që zgjati pesë vjet nën zhurmën e poshtërimit të shkaktuar ndaj njëri-tjetrit. Një shfaqje që mahniti fansat pothuajse po aq sa edhe filmat e dy aktorëve.

Kim Kardashian dhe Kanye West madje bënë një dokumentar me dy episode në ‘Discovery’ për divorcin e tyre të turbullt dhe shumë të shtrenjtë.

Në Itali, Francesco Totti dhe Ilary Blasi ishin tashmë të famshëm, por ata u bënë edhe më shumë për shkak të luftës së Rolex-ave dhe çantave. Edhe nëse për çështje të tjera, deri diku, është arritur një armëpushim, orët dhe pretendimet ekonomike mbeten në qendër të diskutimeve mes dy ish-ve.

Me dhimbje përfundoi edhe martesa mes këngëtares Britney Spears dhe modelit Sam Ashgari, sipas TMZ, me sherre të shumta, teksa Sam thuhet se e ka kërcënuar se do të zbulonte detaje “jashtëzakonisht të sikletshme”.

Pas 18 vitesh martesë me Christine Baumgartner, edhe aktori hollivudian Kevin Costner gjendet në mes të një divorci shumë të turbullt, sepse ish-i i tij nuk është larguar ende nga shtëpia, vila në Kaliforni ku jetonin të dy, pavarësisht kontratës paramartesore të nënshkruar nga të dy që parashikon braktisjen e shtëpisë së përbashkët brenda tridhjetë ditëve nga kërkesa për shkurorëzim. Aktori, pas skadimit të kohës së dakorduar, e çoi gruan në gjykatë, duke pretenduar se qëndrimi i saj i zgjatur në shtëpinë e tij është një përpjekje për t’i bërë presion atij që të pranojë kërkesat e saj financiare.

Dhe askush nuk duket i gatshëm të dorëzohet në emër të ‘ndarjes së ndërgjegjshme’, e cila duket krejt jashtë mode.

 

Fraksion.com