AktualitetPolitikëTë fundit

Rama publikon fotoalbumin e vizitës në Itali: Plane e projekte konkrete

Kryeministri Edi Rama ka publikuar në rrjete sociale fotoalbumin e vizitës që zhvilloi një ditë më parë në Itali.

Rama shprehet se në kuadër të kësaj vizite u diskutuan plane dhe projekte konkrete  në atmosferën e një mikpritjeje vëllazërore.

Kreu i Ekzekutivit vë në dukje vullnetin mbresëlënës të palës italiane, për të thelluar raportin e miqësisë tradicionale, marrëdhëniet e partneritetit strategjik, si edhe të interesave të përbashkëta ekonomike, duke çliruar shumë më tepër nga potenciali i madh që ka bashkëpunimi mes dy vendeve tona.

Kryeministri Rama shoqërohej në këtë vizitë nga zëvendëskryeministrja dhe ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, ministrja për Bujqësinë dhe Zhvillimin Rural, Anila Denaj, ministri i Ekonomisë dhe Financave, Ervin Mete, ministrja e Shtetit për Sipërmarrjen dhe Klimën e Biznesit, Delina Ibrahimaj dhe ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani.

Rama së bashku me zëvendëskryeministrin dhe ministrin e Punëve të Jashtme dhe Bashkëpunimit Ndërkombëtar i Italisë, Antonio Tajani  kryesuan në Farnesina takimin e dytë në nivel politik të Komitetit të Përbashkët Ekonomik (KPE) Itali-Shqipëri.

Rama u mikprit edhe nga Kryeministrja e Italisë Giorgia Meloni, të cilët diskutuan për forcimin e  mëtejshëm të marrëdhënieve në fushën ekonomike ku Italia si partnere strategjike e Shqipërisë, ka një rol tejet të rëndësishëm në këtë drejtim edhe përmes prezencës gjithnjë në rritje të sipërmarrjeve italiane në vendin tonë.

Gjithashtu, gjatë takimit u diskutua mbi mundësitë e investimit që ofron Shqipëria në shumë sektorë potenciale, si energjia, infrastruktura, bujqësia, e veçanërisht turizmi, i cili këtë vit shënoi një rekord të vërtetë rritjeje, duke u kthyer në një nga fushat më atraktive për investime.

 

Fraksion.com