Rama: Në realitetin e gjeopolitikës punohet me strategji dhe diplomaci
Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se ende nuk jemi në situatën që KFOR të marrë nën kontroll veriun e Kosovës, por se mund të shkohet aty.
Gjatë një konference për shtyp lidhur me situatën pas ngjarjes në Banjskë, ku si rezultat i sulmeve me armë zjarri nga një grup i armatosur serb, mbeti i vrarë efektivi i policisë Afrim Bunjaku, Rama tha se në realitetin e gjeopolitikës dhe të ballafaqimit të sotëm, punohet me mençuri dhe diplomaci.
“Nuk jemi akoma aty, por mund të shkojmë aty. E shikoni se çfarë ndodh? Kjo është diçka që e thashë, nuk duhet ndonjë mençuri e veçantë, as nuk duhet ndonjë dhunti për të parë të ardhmen. Duhet vetëm përqendrim te vija historike dhe te vija e sjelljes së aktorëve në fushë, për të kuptuar si mund të shkojnë gjërat. Akoma nuk jemi aty, por nëse sot nuk ka reagim do shkojmë aty. Nuk ka ndryshe”, theksoi Rama.
Sipas Ramës, duhet reaguar me strategji dhe diplomaci.
“Me “facebook” dhe me kolltuqe në klubet e natës mediatike mund të nisësh avionët, helikopterët, raketat dhe të shkosh ta shkatërrosh një herë e mirë armikun. Por në realitetin e gjeopolitikës dhe të ballafaqimit të sotëm, punohet me strategji, mençuri dhe me diplomaci”, deklaroi kryeministri.
Fraksion.com