AktualitetKosovaRajoniTë fundit

Osmani: Duhet ta bëjmë projekt statutin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe me SHBA-në

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, tha të mërkurën se Kosova duhet që me Shtetet e Bashkuara të përgatisë projektin e statutit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe, themelimi i të cilit është pjesa më e vështirë e bisedimeve për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë.

Në një intervistë për Radiotelevizionin e Kosovës, presidentja Osmani tha se ka ende mëdyshje rreth marrëveshjes së arritur në Bruksel dhe në Ohër më herët gjatë këtij viti, posaçërisht për pjesët që kanë të bëjnë me vetmenaxhimin e komunitetit serb, por ajo marrëveshja, tha ajo, është një detyrim ndërkombëtar.

“Ne duhet të ulemi me Shtetet e Bashkuara dhe të përgatisim projektin tonë. Mendoj se kështu është zgjidhja, të ulemi me partnerët tanë në Shtetet e Bashkuara, ta prezantojmë para sekretarit amerikan të Shtetit draftin tonë, i cili është në përputhje me Kushtetutën e Kosovës, në përputhje me vendimin e Gjykatës Kushtetuese, në përputhje me letrën (e ish-shefes së politikës së Jashtme të Bashkimit Evropian, Federica) Mogherinit që garanton se nuk do të ketë kompetenca ekzekutive dhe në përputhje me qëndrimin e shkruar amerikan në opinionin (këshilltarit të lartë të Departamentit Amerikan, Derek) Chollet dhe (të dërguarit amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel) Escobar që sqarojnë se një trup i tillë do të jetë një trup koordinues, pa kompetenca ekzekutive”, tha presidentja Osmani.

Me 2 maj në Bruksel u paraqit një projekt statut i Asociacionit i hartuar nga një ekip menaxhues që përbëhej nga katër pjesëtarë të komunitetit serb, përfshirë një deputete të parlamentit të Serbisë.

Por ai u refuzua nga kryeministri i Kosovës Albin Kurti, i cili e cilësoi të “papajtueshëm me kushtetutshmërinë, ligjshmërinë, të drejtat e njeriut, vlerat evropiane, të drejtat e pakicave sipas standardeve evropiane”. Në vend të tij ai tha se ka propozuar me një projekt pikëpamje se si do duhej të ishin vlerat dhe parimet që rregullojnë çështjen e komuniteteve pakicë në Kosovë.

Çështja e Asociacionit është Thembra e Akilit në procesin e bisedimeve për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë – Serbi.

Palët u morën vesh në vitin 2013 për themelimin e Asociacionit, ndërsa në vitin 2015 u pajtuan për parimet e tij. Por po atë vit Gjykata Kushtetuese e Kosovës gjeti se një pjesë e madhe e këtyre parimeve janë në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës.

Serbia ngulë këmbë për themelimin e tij, ndërsa Prishtina ka hezituar gjatë të themelojë Asociacionin që e sheh si kërcënim për një ‘Republikë Serbe’ si ajo në Bosnje e Hercegovinë.

Shtetet e Bashkuara thonë se kjo nuk do të ndodhë por Asociacioni është mundësi për të ulur ndikimin e Beogradit në veri të Kosovës. I dërguari amerikan për Ballkanin Perëndimor Gabriel Escobar ka thënë se nëse Kosova dëshiron të ecë përpara me integrimin evropian, duhet ta themelojë Asociacionin.

Presidentja Osmani tha të mërkurën se një përfshirje e drejtpërdrejte amerikane në procesin e bisedimeve është shumë me rëndësi për suksesin e procesit të bisedimeve me Serbinë që lehtësohen nga Bashkimi Evropian.

Procesi i bisedimeve që nuk ka shënuar ndonjë përparim pas marrëveshjes së Ohrit, sipas vëzhguesve, mund të jetë dëmtuar rëndë pas përleshjeve të 24 shtatorit ndërmjet policisë së Kosovës dhe një grupi serbësh të armatosur në veri të vendit, i cili vrau një oficer të policisë dhe plagosi një tjetër.

Sulmi nxiti shqetësime të reja të diplomatëve perëndimorë për qëndrueshmërinë në rajon, të cilët bënë thirrje që palët të kthehen në tryezën e bisedimeve.

Presidentja Osmani akuzoi Serbinë për “orkestrimin” e sulmit ndaj policisë së Kosovës në fshatin Banjskë në veri, duke i bërë thirrje Bashkimit Evropian për masa të ashpra ndaj Beogradit.

Një zëdhënës i bllokut tha të mërkurën se “pasi të vërtetohen të gjitha rrethanat dhe faktet e asaj që ka ndodhur më 24 shtator në fshatin Banjskë në veri të Kosovës, vendet anëtare të Bashkimit Evropian do të marrin vendime rreth masave dhe hapave të mundshëm”./VOA

 

Fraksion.com