Operacioni “Never forget”, Rrumbullaku: U zbardhën 16 ngjarje kriminale
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Drejtues Madhor Muhamet Rrumbullaku, në një deklaratë për mediet, nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit, dha detaje për rezultatet e operacionit “Never forget”, i cili bëri të mundur zbardhjen e 16 ngjarjeve të rënda kriminale.
“Janë zbardhur 6 vrasje, 3 raste të vjedhjes me dhunë, 1 rast kanosjeje të punonjësit të Policisë si edhe dy vrasje të kryera në Greqi”, u shpreh Rrumbullaku.
Kreu i Policisë së Shtetit bëri të ditur se Prokuroria e Elbasanit ka lëshuar 15 urdhra ndalimi, ku deri tani janë ekzekutuar 12, ndërsa 3 shtetas janë shpallur në kërkim.
“Nga studimi i akteve hetimore dhe procedimeve penale nga oficerët e policisë gjyqësore të Drejtorisë së Elbasanit ka rezultuar se më 17 tetor 2021, rreth orës 10:00 është gjetur i vrarë më armë në lagjen Cermë Peqin shtetasi Alban Semaku. Nga veprimet hetimore të kryera është identifikuar si autor i dyshuar i kësaj ngjarjeje shtetasi Artan Tafani, lindur e banues në Lushnjë. Nga hetimet e kryera me metoda speciale, dyshohet se ky shtetas në bashkëpunim me persona të tjerë, ka kryer disa ngjarje kriminale, vrasje, shkatërrim prone me eksploziv, vjedhje me dhunë, sigurim kushtesh dhe mjetesh për të kryer vrasje nga viti 2021-2023, në disa qytete të vendit”, deklaroi Rrumbullaku.
Fraksion.com