AktualitetPolitikëTë fundit

Normalizimi i dialogut Kosovë-Serbi, Rama: Nuk shoh strategji, vetëm lëvizje taktike që nuk çojnë gjëkundi

Kryeministri Edi Rama, gjatë një konference për shtyp mbi ngjarjet në veri të Kosovës, iu përgjigj edhe interesimit të gazetarëve mbi qëndrimet e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti.

Rama tha se qëndrimet politike të një kryeministri nuk janë qëndrime të një personi ndaj një personi, por janë qëndrime të një shteti ndaj një shteti.

“Në këtë rast varet çfarë qëllimi ke, çfarë objektivi strategjik ke dhe nëse objektivi yt strategjik është paqja është një gjë, nëse është konflikti i ngrirë permanent është një gjë tjetër, nëse është lufta është gjë tjetër. Varet çfarë ke”, tha Rama.

Kryeministri theksoi se nuk sheh strategji në gjithë procesin.

“Shoh lëvizje taktike të vazhdueshme që nuk çojnë asgjëkundi. Mund të jetë kjo strategjia? Mbase. Unë flas për objektivat e shpallura dhe objektivi i shpallur është normalizimi përfundimtar dhe njohja reciproke de facto, sipas meje, që çon në njohje nga të gjithë shtetet anëtare të BE-së dhe pastaj Serbia si ta ketë punën. Nuk është punë personash kjo. Fjalët duhen thënë siç janë dhe atëherë kur peshojnë. Po të përsërisim gjithmonë të njëjtat gjëra nuk peshojnë më”, shtoi ai.

 

Fraksion.com