“Këtë propozim e kam bërë edhe më parë”, Rama: KFOR-i duhet të marrë në kontroll veriun e Kosovës
Kryeministri Edi Rama deklaroi sot në një konferencë për shtyp se KFOR-i duhet të marrë në kontroll veriun e Kosovës.
Ai theksoi se “jo vetëm niveli i përfaqësimit të komunitetit euroatlantik në dialog duhet ngritur lart dhe duhet ngritur shpejt, por duhet pasur parasysh që kjo të bëhet, se përndryshe bashkë me stokun e gjithë atyre marrëveshjeve ca të firmosura, ca të pranuara gojarisht, por përgjithësisht të pazbatuara, vonesa në hedhjen e këtij hapi mund të sjellë largqoftë edhe një stok viktimash të një konflikti të armatosur dhe sigurisht, pikërisht për të parandaluar në çdo mënyrë dhe me çdo mjet këtë konflikt, që sot duket më i mundshëm se asnjëherë më parë se deri dje, KFOR-i duhet të marrë në kontroll veriun e Kosovës”, u shpreh ai.
“Është një propozim që e kam bërë më parë, e kam bërë dhe në samitin e NATO-s dhe e kam shpjeguar gjerë e gjatë pse. Tani, çdo hezitim dhe çdo vonesë, deri dhe në argumentin e orëve të fundit, jo kemi, jo s’kemi mjaftueshëm trupa mund ta bëjë largqoftë, ndërhyrjen e nesërme të KFOR-it shumë më të madhe në trupa, por edhe në vështirësi”, tha Rama.
“Prandaj jam këtu sot dhe më vjen mirë që këtë tanimë e kërkon dhe Kosova, KFOR-in në veri. Nuk kam dëgjuar ta kundërshtojë Serbia, madje disa zëra e kanë kërkuar edhe nga pala serbe, por kjo është puna e tyre, sepse këtu s’ka rëndësi fare kush e kërkon, pse e kërkon, si e kërkon. Këtë e kërkon situata sot, po të ishte bërë më parë nuk do kishte ndodhur kjo që ndodhi dje, pardje, tjetër pardje. Të gjitha këto nuk do kishin ndodhur. Pak vonë sipas meje, por është më mirë pak vonë sesa shumë vonë”, theksoi Rama.
Fraksion.com