AktualitetTë fundit

Arrestohet ish-nënkryetari i Bashkisë së Librazhdit, abuzoi me fondet e klubit sportiv

Finalizohet operacioni policor i koduar “Loading”, pas 1 muaji hetime me metoda proaktive.

Kapet dhe vihet në pranga një shtetas i shpallur në kërkim, i akuzuar për shpërdorim detyre.

Në vijim të punës operacionale hetimore, bazuar në informacionet e siguruara nga inteligjenca policore, për një rast të shpërdorimit të detyres, strukturat për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare të DVP Elbasan, pas një muaji hetime me metoda proaktive, në drejtimin e Prokurorisë së Elbasanit, kanë finalizuar operacionin policor të koduar “Loading”.

Si rezultat, është kapur dhe ndaluar shtetasi Andri Çota, 37 vjeç, banues në Librazhd.

Për këtë shtetas, Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, më datë 21.09.2023, ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, pasi dyshohet se gjatë kohës që ka mbajtur postin nënkryetar i bashkisë Librazhd, ka keqpërdorur fondin për klubin sportiv, duke shkaktuar dëm ekonomik.

Vijojnë hetimet për dokumentimin e plotë të këtij rasti.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, për veprime të mëtejshme.

 

Fraksion.com