AktualitetTë fundit

Vritet 38-vjeçari në Sukth, qëllohet me automatik brenda makinës!

Një 38 vjeçar është vrarë me armë zjarri nga persona ende të paidentifikuar në Katund Sukth tek shinat e trenit në Durrës. Ngjarja u shënua pak pas mesnatës (27 shtator) ku mësohet se  viktima Fatjon Dervishi ndërroi jetë në spital.

“Në Katund, Sukth, tek shinat e trenit, nga persona ende të paidentifikuar  është qëlluar me armë zjarri shtetasi Fatjon Dervishi, 38 vjeç, i cili u transportua menjëherë në spital për ndihmë mjeksore, por si pasojë e plagëve të marra ka ndërruar jetë në spital”,  informoi policia e Durrësit pas mesnate (ora 00:30), 27 shtator 2023.

Viktima është zënë në pritë tek shinat e trenit në Sukth dhe është qëlluar me breshëri plumbash me automatik. 2 plumba e kanë përshkuar në trup duke i dëmtuar organet vitale, por pritet ekspertiza.

Në momentin kur e kanë qëlluar ka qenë në automjet së bashku me një shokun e tij dhe ishte duke drejtuar makinën. Personi tjetër nuk është prekur nga plumbat. Sipas dëshmisë së këtij të fundit rezulton se ata kishin qenë në një lokal dhe po ktheheshin për në shtëpi kur janë goditur. Janë pyetur 10 persona deri tani për të mundësuar zbardhjen e ngjarjes.

Viktima është banor i zonës Katund Sukth dhe nuk është person me precedent të mëparshëm penal, ndërsa mësohet se ka jetuar edhe jashtë vendit. Megjithatë familjarë të tij janë emra të njohur nga policia. Vëllai i Fatjon Dervishit, Fatbardh Dervishi, në janar të vitit 2022 ka plagosur me pistoletë të dashurën në një hotel në Durrës.

Ndaj Fatbardh Dervishit është caktuar masa e sigurisë “Arrest në burg”, në mungesë, për plagosje të rendë me dashje dhe armëmbajtje pa leje. Ndërsa babai i tyre është prangosur Ramazan Dervishi është prangosur për armëmbajtje pa leje.

Grupi hetimor ka shkuar në vendngjarje dhe në bashkëpunim me Prokurorin vijon veprimet për zbardhjen dhe dokumentimin e rrethanave të ngjarjes, me qëllim identifikimin dhe kapjen e autorit/ve.

Kjo është vrasja e dytë e shënuar në vend pa kaluar 24 orë. 59 vjeçari Martin (Marku) Bardhi u ekzekutua paraditen e 26 shtatorit, në një atentat të mirëorganizuar në hyrje të qytetit të Rrëshenit, ndërsa tre persona të tjerë të cilët kanë qenë në tavolinë u plagosën. Vrasja u shënua përballë komisariatit të Rrëshenit në bar picerinë e viktimës.

 

Fraksion.com