AktualitetPolitikëTë fundit

Rama: Serbia po i fryn si asnjëherë më parë zjarrit të një konflikti të armatosur!

Kryeministri i Republikës së Shqipërisë, Edi Rama, me anë të një postimi në X ka shprehur shqetësimin e tij për veprimin e djeshëm të Serbisë pas sulmit terrorist ndaj Kosovës.

Ai beson që shpallja e ditës së zisë nga Serbia është “sinjali më i keq që Serbia mund t’i jepte rajonit dhe komunitetit euro-atlantik”.

Kryeministri shqiptar shpreh bindjen se me këtë veprim, Serbia i fryn si asnjëherë më parë qysh prej vitit 1999, zjarrit të një konflikti të armatosur!”

Kujtojmë që Serbia njoftoi për shpalljen e një ditë zie për terroristët që vdiqën në sulmin në Bajskë. Ky veprim është denoncuar edhe brenda vendit tonë.

Por, Rama vazhdon me fjalët e tij duke denoncuar Serbinë e duke kërkuar që të dënohet nga e gjithë bashkësia euro-atlantike.

“Ky është momenti që Serbia duhet ta ndajë qartë dhe prerë mendjen nëse do të jetë me Evropën dhe botën demokratike të shekullit XXI apo me hijen e vetvetes së fundshekullit XX; me vlerat dhe parimet e Bashkimit Evropian e të komunitetit euro-atlantik apo me fantazmat dhe me krimet e të shkuarës së saj të palavdishme të viteve ’90.”

Ai ka kërkuar që edhe BE-ja me ShBA-të qartazi të ndezin (sic) alarmin demokratik për të ndalur përshkallëzimin e situatës në veri të vendit.

“Prandaj, apeli i Shqipërisë për miqtë e mëdhenj e aleatët strategjikë të Ballkanit Perëndimor është: Veprimin e sotëm, mos e lini për nesër!”

Por, kryeministri Rama ka vazhduar duke kërkuar që edhe Kosova të reflektojë seriozisht për të ndarë mendjen: “nëse do të vazhdojë në kursin e veprimit të shkëputur nga miqtë e saj të pazëvendësueshëm dhe aleatët e saj të padiskutueshëm apo do të veprojë në harmoni e mirëkuptim me komunitetin euro-atlantik, për të arritur qëllimin më madhor në histori pas fitores së luftës e shpalljes së pavarësisë, njohjen përfundimtare si shtet anëtar i këtij komuniteti!”

Duhet kujtuar se Lista Serbe – partia kryesore që vepron në Kosovë me nënkryetar kriminelin Millan Radojçiqit – ka shpallur tri ditë zie.

 

Fraksion.com